Investigimi/ Belinda Balluku ‘asist’ Igli Tares! Ish-futbollisti i kombëtares biznes pasi Balluku u bë ministre
Ish-futbollisti i kombëtares Igli Tare është një tjetër person, që me firmën e Belinda Ballukut, ka përfituar leje për ndërtim pallati dhe parku fotovoltaik. Emisioni investigativ Plug zbardhi detaje sesi Igli Tare, në të njëjtën periudhë që Balluku u bë Ministre e Infrastrukturës, ish-futbollisti kuq e zi, u rikthye në Shqipëri për të investuar në ndërtim dhe energji. Jo vetëm kaq, por të dhënat e një raporti të KLSH të publikuar nga Plug, tregojnë se 3.3 ha tokë, që Armando Subashi i ka dhënë Igli Tares në Sheq Marinas, është bërë në shkelje të ligjit.
Emisioni invsetigativ Plug, ka hedhur dritë mbi të tjera lidhje të dyshuara me interesa të Belinda Ballukut me sipërmarrës në vend.
Objekt i investigimit të sotëm, ishte ish-futbollisti i kombëtares Igli Tare, i cili, pavarësisht karrierës së gjatë në futboll, pas vitit 2019 investoi në Shqipëri në sektorin e ndërtimit dhe atë të energjisë.
Në vitin 2018, ndërsa pak muaj më pas Belinda Balluku u emërua Ministre e Infrastrukturës, Igli Tare hapi kompaninë “Agro Roma”, me të cilën përfitoi një leje ndërtimi për një kompleks banimi dhe shërbimi pranë Zogut të Zi në Tiranë.
Në vitin 2023 Agro Roma 2019, do të përthithte një tjetër kompani. Real Eco Energys shpk, e themeluar nga Edi Agalliu, babai i administratorit Soni Agalliu. Kjo kompani sipas objektit të deklaruar në QKB, u themelua për përfitimin e një parku fotovoltaik, që duket qartazi edhe nga emir i themelimit por edhe aktiviteti i saj në të gjithë vitet e ekzistencës. Dhe pas marrjes së lejes, kompania iu bashkua nëpërmjet procedurës së përthithjes kompanisë Agro Roma 2019, e cila bashkë me kompaninë Real Eco Energys bëhet zotëruese edhe e parkut fotovoltaik të miratuar me firmë dhe vulë të Belinda Ballukut.
Sipas të dhënave nga dokumentet zyrtare, kjo kompani ka marrë leje ndërtimi fillimisht nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Në qershor të vitit 2021 KKT, me firmën e Edi Ramës dhe Belinda Balluku miratojnë një tjetër leje ndërtimi pranë Zogut të Zi kompanisë Agro Roma 2019. Tashmë me lejen e ndryshuar nuk do jetë vetëm kompleks rezidencial por edhe një hotel. Në vitin 2024 Rama dhe Balluku miratojnë dhe leje për rishikim të kushteve të lejes gjatë ndërtimit për objektin: “Soho Toëers”, objekt me funksione komplekse, shërbim, hoteleri dhe rezidencial, me vendndodhje pranë Zogut të Zi, Bashkia Tiranë, me subjekte zhvilluese shoqërinë “Agroroma 2019” sh.p.k.
Ndërsa lejet e ndërtimit jepeshin me firmë të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, zemërgjerësia e titullarëve të qeverisë shoqërohej edhe me dhurata nga kryebashkiakë të tjerë, që pronën e fermerëve ua jepnin zengjinëve të rinj.
Ka qenë KLSH që ka gjetur shkelje të rënda në procedurën për ti dhënë kompanisë së Igli Tares Tokën në Sheq Marinas të Fierit, dhe nuk bëhet fjalë për pak por plot 3. 3 hektarë.
Audituesit në raport shprehen se kjo sipërfaqe tokë është dhënë pa marrë më parë miratimin e Këshillit Bashkiak Fier, siç e parashikon ligji. Por jo vetëm kaq, sipas KLSH-së për dhënien e tokës janë shkelur të gjitha procedurat, nuk është ngritur grup pune për kryerjen e praktikës, e madje në shkelje të ligjit për dhënien e pasurive shtetërore me qera janë marrë kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë.
Madje, Subashi ka shkelur ligjin pasi ndonëse afati i kontratës do të duhej të ishte për 10 vjet, ajo është lidhur për një periudhë 20-vjeçare.
Për ta përmbyllur me suskese procedurën sigurisht Igli Tare ka marrë konsulencë nga një tjetër kompani e lidhur me Partinë Socialiste. Sipas bilanceve të publikuara në QKB do të ishte kompania A2 Partners & Law e themeluar në janar të vitit 2020 nga vajza e Fatmir Xhafës, Aulona Xhafaj. Edhe kjo e fundit nuk është një emër i panjohur, jo vetëm si vajza e arkitektit të Reformës në Drejtësi, por edhe si përfituese e një tjetër lejeje parku fotovoltaik ngjitur me parkun e Igli Tares.




