Denoncimi tronditës: Pas zhytjes 74 cm në “Durrës Marina”, po maskohen krisjet në strukturë
Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Piranjat” u publikuan dëshmi nga brenda kantierit të projektit “Durrës Marina”, të cilat ngrinin alarmin për sigurinë e dy prej godinave të para të ndërtuara në këtë kompleks gjigant.
Sipas një nënkontraktori të angazhuar në punimet e betonit, dy pallatet e para kanë pësuar ulje të konsiderueshme në tokë, duke arritur deri në 74 centimetra zhytje.
Në vijim të këtij rasti të transmetuar, në redaksi ka mbërritur një tjetër denoncim, i cili hedh akuza edhe më të rënda mbi situatën në terren.
Sipas qytetarit që ka kontaktuar redaksinë, problematikat nuk kufizohen vetëm tek zhytja e godinave, por janë shfaqur edhe krisje në strukturë, të cilat, sipas tij, po mbulohen përmes ndërhyrjeve të shpejta për t’u maskuar. Ai pretendon se në vend që të adresohen problemet reale, po përdoret beton i lëngshëm për të fshehur dëmtimet e krijuara.
Më tej, në denoncim thuhet se gjatë punimeve është gërmuar deri në 180 metra thellësi, pa arritur të gjendet një shtresë toke e qëndrueshme, çka ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë afatgjatë të gjithë projektit.
Sipas të njëjtit burim, për situatën janë angazhuar edhe studio të huaja inxhinierike, përfshirë kompani zviceriane dhe britanike, të cilat dyshohet se janë tërhequr pa ofruar një zgjidhje konkrete për problemin.
Denoncuesi paralajmëron se, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, projekti “Durrës Marina” mund të përballet me pasoja të rënda në të ardhmen.
Në këtë situatë, i mbetet institucioneve përgjegjëse në Durrës, përfshirë Bashkinë dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), që të ndërmarrin verifikime të menjëhershme në terren dhe të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e strukturave dhe transparencën ndaj publikut./Piranjat News




