Fatura/ SPAK sekuestron paratë e tenderit që i dha “AlbaScan”-it për “umbrellën” kibernetike
Nga Elton Qyno
Mes dhjetëra pasurive të sekuestruara 1 ditë më parë nga prokuroria e Posaçme SPAK, është dhe një llogari bankare që i përket shoqërisë tregtare “AlbaScan”, e cila ndodhet në pronësi të Elton dhe Elision Jorgjit.
Tashmë njëri nga pronarët e kësaj kompanie Elision Jorgji, rezulton të jetë vënë në hetim nga prokuroria e posaçme për “Shkelje të pabarazisë në tendera” pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit.
Por njëherësh dhe llogaria e kësaj kompanie, me vlerë financiare prej 1 miliard e 8 milion lekë të vjetra që ndodhet në një bankë të nivelit të dytë, aktualisht është vendosur të sekuestrohet nga dy prokurorët e çështjes me Nr.20/1 Altin Dumani dhe Bledar Maksuti.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se shoqëria “AlbaScan” dhe pronarët e saj Elton dhe Elison Jorxhi, nuk janë të panjohur nga SPAK dhe ish-drejtuesi i institucionit, Altin Dumani, pasi gjatë drejtimit të tij, kjo kompani ka fituar në SPAK dy tendera me vlerë totale prej 798 milion lekë të vjetra për ndërtimin e “umbrellës” kibernetike të mbrojtjes.
Kjo shumë financiare është arkëtuar nga “AlbaScan”, në 3 fatura të nxjerra nga SPAK, ku siç rezulton në datën 28 Janar 2025, prokuroria e posaçme SPAK ka paguar shoqërinë “AlbaScan” me vlerën 240 milion lekë të vjetra për blerjen e skanerëve për bagazhe, skaner zarfesh dhe ura kontrolli.
Ndërkohë po në datën 28 Janar 2025 SPAK ka paguar shoqërinë “AlbaScan” në vlerën prej 539 milion lekë të vjetra për blerje skanerë për automjet bollard automatik.
Gjithashtu në 20 Janar 2025 sërisht SPAK ka paguar “AlbaScan” në vlerën 18 milion lekë të vjetra për paisje që shërbejnë si poste karikimi për automjetet elektrike. Në total është një shumë financiare prej 798 milion lekë të vjetra që SPAK i ka dërguar në llogari kësaj kompanie.
Ndërkohë e njëjta kompani “AlbaScan”, rezulton të ketë arkëtuar dhe 120 milion lekë të vjetra nga GJKKO-ja, pasi i ka shitur skanerë dhe urra metal-dedektor Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pra në total formohet shuma 1 miliard lekë që “AlbaScan” nga përfituar nga SPAK dhe GJKKO-ja. Dhe pas një viti nga arkëtimi i kësaj shume nga dy institucionet e Drejtësisë, SPAK dhe GJKKO-ja vendosin në 20 Prill 2026 të sekuestrojnë këtë vlerë financiare që në fakt vetë ja kanë paguar “AlbaScan”.
Kujtojmë se tenderi i blerjes së skanerëve të SPAK, ka dalë dhe në dosjen me Nr.20/1 që vetë SPAK po e heton me çështjen AKSHI.
Në dëshminë që ka dhënë në SPAK biznesmenia Shqiptaro-Gjermane, Migena Schroeder, ajo ka folur dhe për një tender të zhvilluar nga prokuroria e posaçme SPAK.
Biznesmenia, ka treguar se prokurimi është zhvilluar në Shtator 2024, ku biznesmeni i “Albascan”, Elison Jorgji, i kishte kërkuar llogari se pse ajo kishte çuar ofertë për Prokurorinë e Posaçme për blerjen e skanerëve, duke i kërkuar të mos paraqiste ofertë por se ajo nuk ka pranuar.
Përmes këtij tenderi që tregon Migena Schroeder, SPAK, ka vendosur të shpenzojë një shumë prej 649 milion lekë të vjetra duke ia besuar kompanisë “AlbaScan” për të ndërtuar “ombrellën” kibernetike të mbrojtjes.
Kompania “AlbaScan”, në dy lotet tenderuese të hapura në vitin 2024 nga SPAK, konkurroi përballë kompanive të tjera private “Alcomm Solutions” dhe “AESS” & “S2 Secure Albania”, të cilat u s’kualifikuan nga Komisioni i Ofertave pranë SPAK, me argumentin se ofertat e ulëta të paraqitura prej tyre, nuk përmbushnin kapacitetin ekonomik të kërkuar nga institucioni.
Tashmë “AlbaScan”, po jep asistencën e saj dhe në SPAK, ku është duke implementuar teknologjinë elektronike për sigurimin e godinës.
Biznesmenit Gëzim Hoxha, vëllait të Ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, SPAK thotë se i ka bllokuar llogarinë bankare në vlerën prej 1 miliard e 236 milion lekë të vjetra.
Ndërsa biznesmenit tjetër, Andis Papa, SPAK thotë se i ka sekuestruar dy llogari bankare prej 4 miliard e 105 milion lekë të vjetra dhe 944 milion lekë të vjetra. /Syri.net




