J
Nga landfilli i Bushatit, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ka ngritur akuza për situatën që ai e cilëson si katastrofë mjedisore me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Sipas tij, problematika nuk është e rastësishme, por rrjedhojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit në Bashkinë Vau i Dejës. Boçi paralajmëron se landfilli përbën një rrezik serioz ekologjik për zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Vau i Dejës, ndërsa qytetarët thotë ai, po përballen edhe me tarifa të rritura të pastrimit, pavarësisht përkeqësimit të situatës mjedisore.
Luçiano Boçi: Jemi para një katastrofe mjedisore me pasoja për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin. Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e korrupsionit, e keqmenaxhimit të Bashkisë Vau i Dejës.
Në të vërtetë është një bombë ekologjike për zonën, por edhe një minierë ari për fitimet e atyre që e keqmenaxhojnë.
Sot, banorët e Vau i Dejës, Lezhës dhe Shkodrës paguajnë tarifë pastrimi 2 herë më të lartë.
Helmimi i qytetarëve do të vazhdojë dhe pasojat janë të pariparueshme. Ai tym është kancerogjen.
Banorët duhet të jenë në alarm dhe të reagojnë, jemi në krah të tyre.




