Berisha: Rama është kthyer në avokatin e ndërtuesit Armand Lilo

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pas daljes së kryeministrit Edi Rama në podcastin ‘Flasim’, ku foli për zjarrin në pallatin pranë QSUT-së.

Berisha i quajti komentet e kreut të qeverisë si ‘monologun e mashtrimit’.

Duke folur për pallatin e përfshirë nga flakët, Berisha akuzoi Ramën se po mbron ndërtuesin, duke folur si avokat i tij. Sipas tij, deklaratat e kryeministrit janë ‘kontradiktore’, pasi nga njëra anë mohon përgjegjësinë e ndërtuesit për zjarrin, ndërsa nga ana tjetër i ngarkon atij rindërtimin e objektit.

Fjala e plotë:

Dy fjalë për monologun e mashtrimit të të dielës së radhës të Edi Ramës.

 

Në këtë monolog, sot ai rrahu gjoksin me udhëtimin që bëri, duke harruar se kudo që shkon, kudo që shkel, ka damkën e hajdutit dhe të kryeministrit më të korruptuar në Europë. Mediat e Italisë, Spanjës, Austrisë, Gjermanisë dhe mbarë Europës dhe botës, përcollën me mbështetje të jashtëzakonshme denoncimin që qytetarët e Shqipërisë i bënë në protestën e fundit kryehajdutit Edi Rama dhe kërkesën mbarëpopullore për dorëheqjen e tij.

U ndal në monologun e tij duke paraqitur shifra dhe të dhëna ekonomike të cilat provojnë absolutisht më së miri injorancën e tij të plotë në ekonomi apo tabula raza.

Po ju jap vetëm një shembull.

Njëherë thotë se buxheti ishte 4 miliardë në qeverinë e mëparshme dhe GDP-ja ishte 10 miliardë në total. A e harron se me këtë i bën një nder të jashtëzakonshme qeverisë së mëparshme e cila kishte një barrë fiskale sa gjysmën e kësaj që është sot.

Të ndalemi pak përsëri tek avokatia që ai bëri Armando Lilos dhe pallatit në flakë të tij.

Përsëri Edi Rama mori përsipër ekspertin, mori përsipër avokatin e Armando Lilos dhe deklaroi se zjarri nuk kishte lidhje me ndërtimin dhe se fasada ishte e ndërtuar me materialet më të mira, në standardet më të mira, në kohë kur ajo mori flakë si fasadë kashte.

Ai deklaroi se pallatin do ta ndërtojë përsëri ndërtuesi, por në qoftë se ndërtuesi nuk ka përgjegjësi për djegien e pallatit, si mund ta ngarkosh atë për ndërtimin e tij? Pra, tregon një lloj lidhje të pazgjidhshme me atë ndërtues siç është me ndërtuesit e tjerë.

Kurse pas ndërtuesit, sigurisht përgjegjës kryesor është ai vetë me Erion Velinë, sepse zjarrfikëset nuk u futën dot në zonën ku duhet të shuanin zjarrin.

Interesant në këtë monolog ishte pjesa që përpiqej të shpërfaqej si një njeri me interesim të madh për Veriun, të cilin e ka diskriminuar në 12 vjet më shumë se çdo pushtues tjetër që ka kaluar në këtë vend.

Investimet në të gjithë veriun e Shqipërisë janë më të vogla se sa tenderat që ka fituar nga Termet Peçi, motra e tij në Tepelenë. Pra, dhe tani thotë se nga paketa e maleve do kalojë tek porta e maleve, në një kohë kur rrafshoi ndërtime të ndërtuara në tokën e babës, ndërtime të ndërtuara me leje, në Theth dhe në zona të tjera vetëm e vetëm për armiqësi politike ndaj tyre.

E vërteta është se të gjitha këto dëshmojnë se përveç mashtrimit, Edi Ramës nuk i ka mbetur asnjë armë tjetër, asnjë mjet tjetër.

Ndaj dhe njëherë, ftoj qytetarët të vazhdojnë betejën tonë, të vazhdojmë misionin tonë me kryengritjen tonë paqësore për largimin e tij sa më shpejt nga pushteti.

Shqiptarët kudo që janë, miqtë e Shqipërisë kudo në botë, i dhanë dhe i japin një mbështetje të jashtëzakonshme kryengritësve paqësorë shqiptarë në misionin e tyre për shpëtimin e Shqipërisë.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :