22 të shoqëruar nga protesta/ Gjekmarkaj: Ndalime të padrejta dhe presion ndaj qytetarëve
olicia ka shoqëruar 22 persona gjatë protestës së opozitës së mbajtur ditën e sotme, ku gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, informon se 18 prej tyre janë dërguar në komisariatin nr. 1, ndërsa 4 të tjerë në komisariatin nr. 6.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i pranishëm pranë të shoqëruarve, deklaroi se këto ndalime përbëjnë, sipas tij, një veprim të tepruar dhe pjesë të një qasjeje represive ndaj protestës së opozitës.
Ai akuzoi policinë për ushtrim presioni dhe përdorim të forcës ndaj qytetarëve që, sipas tij, po ushtronin të drejtën e protestës.
Fjala e tij:
Mendoj që qeveria është nën fuqinë e panikut dhe po përpiqet ta çojë vendin me dhunë drejt normalitetit. Normaliteti kuptohet në thonjëza. Nuk e di sa prej jush kanë njohuri historike, por dikur, në vitet ’48, ka qenë një famëkeq Toger Baba, që ka qenë një kriminel dhe vepronte në veri të Shqipërisë.
Sot Skënder Hitaj mund të quhet Skënder Baba, i cili ka marrë detyrën e drejtorit të policisë pas certifikimit të zgjedhjeve në qarkun e Fierit nga OSBE-ODIHR-i, ku citohet policia për dhunë dhe presion ndaj votuesve shqiptarë. Ky tashmë është promovuar në rangun e drejtorit të policisë dhe sot pati rastin t’i demonstrojë besnikëri politike kryeministrit diku në një vend të Europës, ku ndodhet për një mbledhje të radhës, për t’i thënë që rri pa merak sepse ushtroj unë dhunë dhe terror mbi opozitën.
Jemi në një gjendje paradoksale. Nuk është fakti që po dhunohen vetëm deputetët e opozitës, megjithëse deputetët janë njerëz si të tjerët dhe duhet të jenë po aq të mbrojtur sa të tjerët, por deputeti është përfaqësues dhe është shenjtëria e përfaqësimit që po dhunohet, ku qetësisht policë civilë dhe policë me rroba civile u drejtohen figurave të opozitës.
Herën e kaluar pamë që gjuajtën spraj dhe topa uji mbi liderin e opozitës Sali Berisha, sot mbi sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka, mbi Luçiano Boçin, mbi Klevis Balliun. Në një protestë tjetër, me qetësi olimpike, një polic shkopin e gomës e përdori kundër Bledion Nallbatit dhe Xhelal Mziut.
Pra, jemi praktikisht në një çmenduri politike, në një nyje gordiane që duhet ta presë shoqëria shqiptare, jo vetëm opozita, sepse kjo është një betejë për të ardhmen e këtij vendi, për të tashmen e këtij vendi, për secilin prej nesh, për secilin prej jush.
Folësi 3: Një pyetje. Në fakt kemi marrë informacione se ka të dhëna që protestuesit gjatë shoqërimit janë torturuar nga punonjës të policisë. Deri më tani keni pasur të dhëna mbi këtë dyshim?
Folësi 2: Ne kemi, nga informacionet që kemi, jo të shumta deri tani, për protestuesit e ndaluar që kanë edhe shenja gërvishtjesh. Duhet të presim të shohim nëse është dhunë e mirëfilltë e policisë apo janë shenjat e gazit lotsjellës, por gjithandej ka ankesa dhe të dhëna që policia është futur në turmë ose, më saktë, informacione ku janë lënë edhe çanta me shishe molotov për të akuzuar protestuesit se janë ata që do t’i përdornin.
Mbetet për t’u parë në vijim, por kjo është një polici politike, një polici që bën gjithçka dhe që po e humbet integritetin dhe profesionalizmin, pavarësisht se aty mund të ketë edhe persona të ndershëm dhe policë, por gjithnjë e më pak. Tani gjithnjë e më shumë në këtë polici ka patronazhistë dhe njerëz që marrin detyra politike, emërime politike dhe e shohin opozitën si një armik që duhet asgjësuar.




