Rreth 16 mijë banorë pa qendër shëndetësore, shërbimet transferohen
Një pikë ambulatore e Qendrës Shëndetësore Nr. 8, në rrugën Irfan Tomini, që mbulonte rreth 16 mijë banorë është mbyllur që nga gushti i vitit të kaluar.
Mungesat nuk i takojnë vetëm periferive. Vetëm gjysmë ore në këmb nga qendra e Tiranës, banorët e njësisë nr. 5, në zonën e rrugës Irfan Tomini, prej gushtit të vitit të kaluar po përballen me një situatë që ka sjellë vështirësi për një pjesë të tyre
“Është turp i zotit! Unë jam burrë i vjetër, pensionist, s’mund të vij vërdallë!”, thotë një banor i zonës, duke shpjeguar se qendra ku merrte shërbimet shëndetësore është mbyllur dhe shërbimet janë transferuar në një tjetër pikë, pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, rreth 10-15 minuta larg.
Situata në terren
Në rrugën Irfan Tomini ndodhet pika ambulatore 8/3, pjesë e Qendrës Socio-Shëndetësore nr. 8, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë marrin shërbim 15,957 qytetarë.
Aktualisht, kjo pikë është e mbyllur dhe në pamje të jashtme duket e braktisur dhe e amortizuar.
Oborri i saj i vogël i rrethuar me gardh hekuri, është i mbuluar nga gjethe të rëna, bishta cigaresh dhe mbeturina të tjera.
Në krah të derës hyrëse dallohet një murale që paraqet një punonjës shëndetësor që mban globin në krah. Kjo pikturë, së bashku me mbishkrimin “Si je? Kontrolli Shëndetësor Bazë 35-70 vjeç”, janë të vetmit tregues se objekti ka shërbyer si qendër shëndetësore.
Çfarë thonë banorët?
Një e moshuar thotë se qendra ku u janë transferuar shërbimet, përveç se është më larg, ka edhe ngarkesë, ata nuk kanë ku të qëndrojnë, ndaj detyrohen të presin jashtë.
E pyetur për kapacitetin e pikës “Vasil Shanto”, Ministria e Shëndetësisë specifikon vetëm se të gjithë banorët që u takonte të merrnin shërbimet tek Irfan Tomini janë transferuar atje, pa treguar sa banorë të tjerë marrin shërbim në këtë qendër. Sipas saj, edhe stafi shëndetësor është transferuar pa ndryshime.
“Një herë në dy muaj më duhet të shkoj për ilaçe dhe nuk shkoj më shpesh… ç’taksirat kam”, rrëfen një tjetër banor, pa dashur të identifikohet me emër.
Pika ambulatore “Vasil Shanto”
Pika ambulatore “Vasil Shanto”, ku aktualisht ofrohen shërbimet, ndodhet pranë shkollës 9-vjeçare me të njëjtin emër dhe është rreth një çerek ore larg nga qendra në rrugën Irfan Tomini.
Foto nga qendra shendetesore “Vasil Shanto”
Një mesoburrë shprehet më optimist, por thekson se çdo banor mund ta ketë ose jo problem, në varësi të gjendjes dhe kushteve vetjake.
“Unë se kam problem por ata që janë më të moshuar, në kushte të vështira apo emergjence shëndetësore mund ta vuajnë”, thotë ai.
Ministria e Shëndetësisë
Gjatë rrugës drejt pikës ambulatore “Vasil Shanto”, vihen re disa të moshuar që lëvizin me hap të ngadaltë, për të kryer aktivitetet e përditshme.
Të pyetur për pikën ambulatore 8/3, ata shprehin mungesë informacioni për fatin e saj dhe mosbesim për një zgjidhje të shpejtë.
Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me një kërkesë për informacion.
Sipas përgjigjes zyrtare, pika ambulatore 8/3 është mbyllur pasi është vlerësuar si jo funksionale nga Instituti i Ndërtimit.
Instituti ka rekomanduar ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit deri në përmbushjen e kushteve teknike dhe strukturore, çka çoi në mbylljen e saj më 22 gusht të vitit të kaluar.
Cili do të jetë fati i qendrës?
“Strukturat vendore të kujdesit shëndetësor janë në proces për identifikimin e një ambienti alternativ të përshtatshëm, që plotëson standardet teknike dhe garanton akses të lehtësuar për qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ndërkohë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë ka paraqitur pranë Ministrisë një kërkesë për rikonstruksionin e godinës së pikës ambulatore nr. 8/3.
Synimi, sipas Ministrisë, është rikthimi i shërbimit në ambientet ekzistuese në rrugën “Irfan Tomini”, pas përfundimit të ndërhyrjeve dhe përmbushjes së standardeve.
Megjithatë, Ministria nuk jep asnjë afat konkret për rikonstruksionin, duke lënë të paqartë se sa do të zgjasë kjo situatë për rreth 16 mijë banorë./ Jona Cenameri, Faktoje.al




