‘Durrës Marina’, urbanisti: Projekti sjell dëm të konsiderueshëm financiar për buxhetin e shtetit
Projekti ambicioz i “Durrës Marina” dhe portit të ri rrezikon të shkaktojë një dëm të konsiderueshëm financiar për buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Përtej shifrave të mëdha të investimit, detaje të fshehura në kontratë dhe marrëveshje tregojnë për taksa të falura dhe kosto kolosale që do të mbulohen nga pala shqiptare.
Urbanisti Adrian Muka, gjatë fjalës së tij tha se investitori strategjik i projektit përfiton nga një sërë lehtësirash fiskale. Konkretisht, janë falur taksa që normalisht do t’i mblidhte Bashkia e Durrësit, si taksa e ndikimit në infrastrukturë (4-8%) dhe kontributi 3% për strehimin social.
Vetëm nga këto përjashtime, dëmi financiar llogaritet në rreth 75 milionë euro për ndërtimet e banimit, 12 milionë euro për hotelet dhe 55 milionë euro nga taksa e strehimit, duke e çuar totalin e të ardhurave të munguara në mbi 140 milionë euro.
Fjala e plotë:
“Të nderuar deputetë, kolegë, bashkëqytetarë. Me thënë të drejtën, unë do përqëndrohem në atë çfarë projekti i Durrës Marinës, por edhe i portit të ri, shkaktoi si dëm financiar.
Pra, pjesa urbanistike, projekti i ri që propozohet, çfarë dëmi financiar sjell në buxhetin e shtetit, por edhe në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Dhe këtu do përqëndrohem në dy momente. Në atë që është zhvillimi i portit si marinë, duke pasur parasysh që taksa e ndikimit në infrastrukturë është 4 dhe 8%.
Në portin në marinë zhvillohen 1.350.000 m² zhvillime të reja, nga të cilat 1.250.000 janë banesa, rreth 100.000 m² janë ëh, hotele, siç e përmendët, hotele me katër dhe pesë yje, me gjashtë yje.
Taksat që shkojnë për ndikimin në infrastrukturë dhe kontributi i strehimit social, i cili dhe ai është 3% vetëvete, janë taksa të cilat duhet t’i mblidhte Bashkia e Durrësit, të cilat me shpalljen investitor strategjik të Durrës Yacht Marinës, automatikisht janë taksa të cilat i falen. Dhe flasim që për banimin janë rreth 75 milionë euro, duke u referuar çmimeve të referencës të kostove të ndërtimit, dhe në shërbim, pra në pjesën e hotelerisë janë rreth 12 milionë euro.
Përsa i takon taksës 3% në strehim, janë rreth 55 milionë euro. Por ajo çfarë fshihet mes rreshtave dhe që për fat të keq nuk është përmendur shumë edhe nga ana jonë, nga ana e opozitës, është një truk të cilët ato e kanë përfshirë si në kontratën, si në aktin e themelimit, ashtu dhe në marrëveshjen kuadër.
Flitet për pjesën e bonifikimit, pra atë çfarë ka pjesa e bonifikimit, pra, qeveria shqiptare me dorëzimin e portit pranë zhvilluesit, në këtë rast grupit të Emaar, duhet të bëjë bonifikimin dhe lirimin e të gjithë zonave të portit të Durrësit.
Kjo në bazë të aktit të themelimit, në nenin tetë, pika dy, flitet që rimbursimi i kostove të pastrimit të territorit do të mbahet nga dividenti i shoqërisë së re që krijohet.
Në marrëveshjen kuadër, në pikën 12 9 2, kostot e lëvrimit të tokës, pra lirimit të tokës, dhe pastrimit të bregdetit do të mbahen nga dividenti i kompanisë së përbashkët që krijohet. Duke pasur parasysh që porti i Durrësit, për fat të keq, është ndër portet më të kontaminuara në të gjithë pjesën e Mesdheut të paktën, bonifikimi sipas kritereve europiane parashikon që e gjithë ai territor duhet të merret, duhet të pastrohet dhe duhet të zëvendësohet me material të ri, të pastër.
Duke pasur parasysh që flasim për një sipërfaqe rreth 80 hektarë, me një kosto mesatare të të gjithë këtyre operacioneve prej 125 euro për metër katror, flasim për një shumë pak a shumë rreth 100 milionë euro, të cilat do t’i mbahen dividentit, meqënëse kompania e re që krijohet parashikon që 67% të fitimit do i shkojë pjesës së grupit zhvillues Alabbar dhe 33% i ngelet shtetit.
Por ky 33% nuk është në natyrë, është 33% nga fitimi. Pra nga dividenti që ne do marrim. Dhe në qoftë se këtij dividenti ne do shkojmë do t’i heqim këto 100 milionë eurosh, keni parasysh që shtetit shqiptar, të gjithë neve na mbeten thërrime, mos do të na ngeli asgjë nga ky zhvillim i ri që propozohet për marinën e portit të Durrësit.
Gjithashtu, qeveria shqiptare merr përsipër në kontratën e transferimit të titullit të pronësisë, që të gjitha koncesionet dhe përsa i përket pjesë pjesës së kredive që porti ka, do t’i marri përsipër qeveria shqiptare. Pra ne aty, nga qeveria, kemi financuar të gjithë periudhës së historikut të zhvillimit të portit.
Kemi financuar për projekte të ndryshme që ka porti, për kalata, për zhvillime të ndryshme, për magazina, për pjesën e thellimit, për pjesën e infrastrukturës portuale dhe për t’i përmendur, është kalata lindore që ka rreth 17 milionë euro të investuara për 35 vjet shlyerje. Kalata e trageteve 15 milionë për 25 vite, konteinerët janë 10 milionë euro për 35 vite”.




