Abuzim i madh në kurriz të Shqipërisë’, Luku: Porti i Durrësit po kthehet në një katastrofë mjedisore dhe ekonomike
Projekti për ndërtimin e një marine të re në Portin e Durrësit po përballet me kritika të ashpra, duke u cilësuar si një ndërhyrje me pasoja të dyfishta negative: një “abuzim mjedisor” i rëndë dhe një lëvizje që rrezikon të pakësojë ndjeshëm influencën ekonomike të Shqipërisë në rajon.
Deputetei i PAA Artan Luku tha gjatë një takimi të opozitës në Durrës se, ndikimi mjedisor është tashmë i dukshëm. Ndërhyrjet në vijën bregdetare, ku detit po i merret territor për të krijuar toka të reja ndërtimi, kanë shkaktuar probleme serioze. Një nga pasojat më shqetësuese është erozioni bregdetar, i cili u manifestua qartë kur uji i detit arriti deri te godinat përgjatë bregut. Për më tepër, këto ndërhyrje kanë ndryshuar totalisht relievin nënujor të plazhit të Durrësit, duke krijuar një shtresë të përhershme lluce që ka zëvendësuar rërën e pastër karakteristike të zonës. Ky dëm, sipas zërave kritikë, do të jetë i përhershëm, edhe pas përfundimit të punimeve
Në aspektin ekonomik dhe strategjik, sipas deputetit të opozitës alarmi është po aq i fortë. Porti i Durrësit konsiderohet si një nga asetet më të mëdha kombëtare, rëndësia e të cilit tejkalon kufijtë e qytetit. Lidhja e tij me Korridorin 8 e bën një pikë kyçe për tregtinë me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë e Jugut. Projekti aktual, i cili parashikon ndërtimin e marinës pa përfunduar më parë portin e ri tregtar në Porto Romano, pritet të shkaktojë një ulje drastike të kapacitetit përpunues, ndoshta deri në katër herë më pak.
Artan Luku: Atëherë, pak a shumë këtu u thanë të gjitha gjërat, se edhe nuk është se sado që flasim, absurditeti i këtij projekti ta shohim në tërësi, domethënë ne nuk duhet ta shohim portin e Durrësit pa e lidhur me projektin e ri për portin e ri që duhet të ndërtohet. Por dy do të theksoja unë si pika mjaft të rëndësishme, të cilat duhet të marrin vëmendje. Njëra që ka të bëjë me abuzimin mjedisor që po bën ndërtimi i Marinës, dhe e dyta është humbja e influencës ekonomike në rajon, gjë e cila do ta ndjejmë me kalimin e viteve gjithmonë e më shumë. Përsa i përket dëmeve mjedisore, kush banon në Durrës i ka parë se deri tani ndërtimet akoma nuk kanë filluar te, ai që ka qenë kufiri i portit, por po krijohen toka të reja, po i ndërhyhet detit gjithmonë e më shumë. Gjë e cila e tregoi dhe veten në një kohë të keqe që patëm para një muaji, ku u pa që deti arriti deri në godinat që janë në bregun e detit. Domethënë, kjo si rrjedhojë e ndërhyrjeve goxha të mëdhaja që janë bërë në mjedis. Përveç kësaj, po ta shohim gjithë formacionin, relievi i detit në zonën e plazhit të madh të Durrësit, siç jemi mësuar ta quajmë, ka ndryshuar totalisht. Nuk kemi më atë plazhin e kthjellët, kemi krijuar një shtresë lluce në të cila besoj që, për sa kam folur me ekspertët, do të vazhdojë të jetë permanente dhe mbasi punimet e Marinës të kenë mbaruar.
Gjithashtu, desha të theksoj një fakt. Në fakt, porti natyral i Durrësit ka qenë Porto Romane, porti i vjetër natyral dhe jo pa arsye është spostuar dhe është bërë i pavlefshëm. Siç ka qenë porti natyral i i Porto Romanos, ka qenë dhe porti i Rodonit gjithashtu, port goxha biznesi para se të ndërtohej porti i Durrësit. Ekspertët e kohës kanë pasur arsye të forta që e kanë suportuar atë dhe kanë vendosur që portin ta kenë këtu ku ne kemi, portin që ne kemi sot i cili po do të kthehet në Marinë. Kjo për arsye sepse mirëmbajtja e portit atje ka një kosto shumë të lartë. Ekspertët duhet ta dinë. Domethënë, ai që ka bërë sot portin privat po po vuan goxha, po ka kosto goxha më të larta për ta mirëmbajtur portin për shkak të rrymave detare që krijojnë lëvizje, është e pafavorshme të themi. Kështu që nuk duhet ta anashkalojmë këtë që ka të bëjë me me ndotjen mjedisore, me prishjen e terrenit në përgjithësi dhe pa një arsye, pa një arsye të fortë. Ndërsa në aspektin ekonomik, unë do të theksoja që porti i Durrësit në fakt është një, nga vlerat më të mëdhaja që ka Shqipëria, i kalon interesat e qytetit të Durrësit. Lidhja që ai ka me korridorin e tetë dhe influenca që ne do të kemi në të bërit biznes me rajonin. Dhe, duke marrë parasysh dhe periudhën e tranzicionit që po ndërtojmë Marinën dhe nuk kemi asnjë hap përpara në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, do të krijohet një ulje e kapacitetit përpunues ndoshta katër herë më pak.
Gjë e cila do ta bëjë që mos të shihet më interesant për Maqedoninë, për Serbinë e Jugut, për Kosovën, mos të shihet më interesant porti i jugut, por tregu sistemohet vetë dhe ndoshta do t’i japim vlerë si pa dashje ose ndoshta kjo është bërë me qëllim, do t’i japim vlerë portit të Selanikut dhe portit të Pireut. Dhe në një plan afatgjatë, ekonomikisht nuk besoj se Shqipëria del e fituar nga një projekt i tillë. Po të ishte menduar më mirë dhe po të ishte bërë me hapat e duhur, ndoshta duhet të ishte ndërtuar më parë porti dhe pastaj të bëhej marina. Personalisht, të them të drejtën, jam, pro marinave. Besoj që një nga bizneset që i mungon turizmit shqiptar është ndërtimi i marinave, por jo domosdoshmërisht kjo duhet të bërë në kurriz të një ekonomie që tanimë është funksionale dhe duke e zëvendësuar këtë me diçka që mund të kemi hapësira të tjera të bollshme për të ndërtuar marina. Marina mund të ndërtohej shumë mirë në Porto Romano meqë qenka e vlefshme dhe porti i Durrësit të vazhdonte të bënte të njëjtin rol që që ka pasur gjithmonë. Nuk e di se çfarë do shtoja tjetër, përveç faktit që të gjitha këto të jep shijen e një abuzimi të madh, i diçkaje të bërë thjesht për përfitime personale biznesi afatshkurtra, dhe në kurriz, të Shqipërisë, në kurriz të brezave të ardhshëm. Ashtu siç edhe turizmi në vetvete, në opinionin tim, po ka një zhvillim që po ta projektojmë siç duhet, po të llogarisim dëmet mjedisore që turizmi, ky lloj turizmi masiv po sjell, unë mendoj që nuk është se ka ndonjë përfitim në afatgjatë. Faleminderit.




