Këlliçi: Me Ramën dhe Sadushin e partisë, paprekshmëria po arrin nivele të paprecedenta
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe në sistemin e drejtësisë, duke akuzuar për rritje të paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në vend.
Me një koment në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se niveli i pandëshkueshmërisë ‘po arrin në nivele që asnjëherë më parë nuk kanë qenë në këto dekada’, duke kujtuar se reforma në drejtësi u ndërmor pikërisht për të garantuar barazi para ligjit.
Sipas Këlliçit, Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë më 9 prill një çështje që lidhet me zbutjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, një veprim që ai e konsideron si përpjekje për të favorizuar zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, ku në krye të listës qëndron Erion Veliaj.
Reagimi i deputetit Belind Këlliçi:
Rroftë paprekshmëria me Edi Ramën e Sadushin e partisë!
Paprekshmëria dhe pandëshkueshmëria po arrijnë në nivele që asnjëherë më parë nuk kanë qënë në këto dekada.
Shqipërisë i kërkohej vazhdimisht barazi para ligjit dhe heqje e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë.
Për këtë arsye u bë dhe reforma në drejtësi. Po ku jemi sot?!
Kuvendi i Republikës ngriti 82 kartona për të mbrojtur bashkëpunëtoren më të afërt të Edi Ramës, e akuzuar për abuzim me 1.1 miliardë euro.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë po bëhet gati të ofrojë një tjetër lehtësi për të korruptuarit. Me 9 prill, do shqyrtohet mundësia për zbutjen e masës së sigurisë arrest me burg për kreun e 5D, gjasme nën motivimin se është tepruar me të dhe se paraburgimet janë plot.
Në të vërtetë, kjo është një nisëm për t’i dhënë lirinë Erjon Veliajt. Ai është zyrtari i vetëm i lartë në qeli, me 13 akuza të rënda për korrupsion.
Por kjo iniciativë e Sadushit të rilindjes, do i sherbejë në vijim gjithë armatës së Edi Ramës që në mos nën hetim, janë aty afër.
Pra paprekshmëria dhe pandëshkueshmëria po konsolidohen e arrijnë maja të panjohura më parë, në kohën kur lypset e kundërta, para syve të partnerëve dhe faqe shqiptarëve që kërkojnë luftë ndaj korrupsionit.
Në këto kushte të kapjes totale të shtetit dhe pengimit të drejtësisë, u ngelet qytetarëve të marrin në dorë fatet e vendit, përpara se zyrtarisht të kthehemi në sulltanat lindor.
Me 17 prill, bashkohemi në shesh e ngremë zërin, qëndrojmë përballë këtij projekti monstruoz kundër Shqipërisë.




