Gëzon mbrojtje politike si Lubi Balluku/ Berisha: Taulant Balla ka porositur vrasje!
Kryedemokrati, Sali Berisha, ka akuzuar sërish ditën e sotme Taulant Ballën, se ky i fundit është i përfshirë në veprimtari kriminale, përfshirë edhe porositjen e vrasjeve.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit online, Berisha u shpreh se ekzistojnë dokumente zyrtare që, sipas tij, implikojnë Ballën në çështje të rënda penale, por që janë asgjësuar me vendime të institucioneve të drejtësisë në Elbasan.
Ai pretendoi gjithashtu për lidhje të Ballës me grupe kriminale dhe ndikim në procese hetimore.
Berisha ngriti akuza edhe për ndërhyrje në raste konkrete kriminale dhe për përdorim të pushtetit për përfitime të paligjshme, duke përmendur edhe çështjen e njohur si “Toyota Yaris”.
Sipas tij, Taulant Balla gëzon mbrojtje politike, njësoj si Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama, çka sipas Berishës e bën të vështirë hetimin e plotë të këtyre çështjeve.
Taulant Balla është sot në parlament, pas Edi Ramës, njeriu me dokumente zyrtare, i provuar si njeri që ka porositur vrasje. Këto dokumente janë asgjësuar me vendim të një prokurori dhe një gjykatëseje në Elbasan. Procesverbali i këtij vendimi ekziston dhe është publikuar. Taulant Balla ka bërë marrëveshje me kartelin e Suel Çelës për të arrestuar bandat rivale në mënyrë që ato t’i sigurojnë qindra mijëra vota dhe kjo marrëveshje është zbatuar. Bandat rivale u arrestuan dhe karteli i Suel Çelës i siguroi qindra mijëra vota. Taulant Balla është personi që u dërgua nga Suel Çela për të liruar nga burgu dy terroristë që kishin vendosur tritol në shalën e biçikletës së Lulzim Kullës për të hedhur atë në erë. Tritoli ra nga shala dhe shpërtheu në rrugë.
Që të dy u liruan pas udhëtimit të Ballës me Vath Stakën, prokuror që tani është në KLP. Balla ka dhënë porosi për të vendosur revolen në rrethimin e oborrit një të familje që ky i konsideronte josocialistë në mënyrë që ata të arrestoheshin. Balla është autor i krimit të Toyota Yaris ku u akuzua se priste 5 milionë euro, por në fakt ai është i regjistruar kur ishte ministër dhe bëri gjithçka për të liruar jo paratë, por edhe makinat që i përkisnin kartelit Çela. Pra, në qoftë se ka një zyrtar me dosje krimi më të rënda se sa Taulant Bala, ai është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër. Natyrisht këto i kemi bërë publike, por ai ka imunitet siç ka Lubi Balluku, siç ka Edi Rama. Lidhjet e tij me krimin janë njëlloj imuniteti. Ne do paraqesim sigurisht komision hetimor, por 83 mandatet e krimit përdoren kundër tij”,- u shpreh Berisha.



