Investigimi/ Nafta shqiptare, fitime offshore, si u zhdukën miliarda nga nëntoka e vendit. Roli i ish-ministres Anila Denaj

Investigimi/ Nafta shqiptare, fitime offshore, si u zhdukën miliarda nga nëntoka e vendit. Roli i ish-ministres Anila Denaj

Kontrastet e Shqipërisë janë të shumta: ato hasen shpesh në politikë, jetën sociale dhe ekonomi. Jemi një vend i bekuar sa i takon klimës me 4 stinë, por prodhojmë shumë pak bujqësi, kemi male dhe det por një turizëm kaotik, kishim fabrika e uzina, por në vend që të rritnim investimet në teknologji, i shkatërruam. Jemi një vend me nëntokë të pasur me burime natyrore dhe naftë, por kemi çmimet e karburantit më të larta në Europë.

Dhe ne sot përmes historisë së kompanisë koncesionare, Bankers Petroleum, do të shpjegojmë se këto kontradikta rrjedhin nga keqqeverisja dhe korrupsioni.

Në vitin 2004 qeveria socialiste e Fatos Nanos vendosi të japë me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos-Marinzën.Në kontratë, u vendos që çdo fitim nga nafta që dilte nga nëntoka e shqiptarëve do të duhej që të ndahej përgjysmë me ta: 50% të fitimit do ta mbante kompania dhe 50% do të paguhej në buxhetin e shtetit.

Kjo kontratë shfrytëzimi, si shumë të tjera, solli prishjen e gjithë zinxhirit të furnizimit me naftë në vend, duke i hequr shtetit rolin si prodhues përballë grosistëve të importit.

Çmimet u rritën dhe konsumit të karburantit iu shtuan taksat.

Politikat fiskale për rritjen e taksave synojnë realizimin e shpenzimeve publike duke mbajtur një deficit sa më të ulët, ndaj pyetja që shtrohet është nëse nafta që ka toka shqiptare ka shërbyer që jo vetëm taksat për karburantin të ulen, por të paktën të mos ishin rritur?

Sipas disa raporteve auditimi të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Drejtorisë së Tatimeve, kompania e shfrytëzimit të naftës ka fryrë shpenzimet dhe rezulton me humbje. Këto institucione kanë arritur në konkluzionin që Bankers duhet të derdhte për vitet 2011 dhe 2014, 118 milionë euro në buxhet, konstatim që është gjetur i drejtë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit.

Çfarë do të thotë kjo?

Minimalisht, taksa e tatimit mbi fitimin që do të duhej të derdhte në buxhet çdo vit Bankers Petroleum do të ishte mesatarisht 50 milionë euro në vit, dhe nëse këtë shumë e shumëzojmë me 20 vitet që kompania po operon në vendin tonë, i korrespondon një shume prej 1 miliard euro që do të duhej të shkonte në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Pra, nafta na është marrë pa na kthyer asgjë në këmbim.

Dhe kjo nuk është skema e vetme.

Një hetim i Prokurorisë Fier që po vijon nga SPAK dyshon për qindra milionë euro të tjera që Bankers Petroleum nuk i ka deklaruar fare si të ardhura në Shqipëri, por i mban në llogari bankare jashtë vendit. Nëpërmjet një skeme që quhet transfer pricing, shqip transferim i çmimit. Për ta bërë të qartë për të gjithë, Bankers themelon kompani jashtë, në juridiksione offshore, dhe naftën që eksporton ia shet firmave të saj me çmim të ulët.

Pra, ia shet lirë vetes dhe më pas po vetë Bankers, nëpërmjet firmave që ka hapur, e tregton me vlerën reale të tregut, ndërkohë që fitimin e mban në llogari jashtë, të pa tatuar dhe të padeklaruar në Shqipëri. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Bankers dyshohet se është përfshirë edhe në një tjetër skemë; ka ndihmuar kompanitë e shitjes së karburantit që të tregtojnë naftë pa taksa dhe me cilësi të ulët.

Gjatë viteve 2011 dhe 2012 kompania Bankers akuzohej nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste se ishte e përfshirë në skemën e naftës kontrabandë përmes importit të solarit hollues, një lloj nafte me dendësi të ulët e cila injektohet në puse gjatë procesit të nxjerrjes së lëndës hidrokarbure. Duke qenë se lënda nevojitet për nevoja prodhimi dhe jo konsumi, ishte e përjashtuar nga detyrimi për të paguar taksën e akcizës. Dhe këtu kemi një tjetër truk, sepse një pjesë e kësaj nafte që importohej për shpimin e puseve, iu shitej kompanive të pakicës që të shmangej akciza.

Dy të këqija në një.

Naftë duke shmangur taksat dhe mbi të gjitha pa cilësi.

Në vitin 2013, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Albpetrol monitoruan importin që kishte kryer Bankers për solarin dhe gjetën mospërputhje të mëdha. Në disa raste, holluesi ishte importuar në nivele të pashpjegueshme, sa 15% e prodhimit, ndërsa për periudhën dhjetor 2011–shkurt 2012 “Bankers” kishte raportuar se kishte përdorur 98 mijë metra kub hollues, ndërsa llogaritjet e stafit të Albpetrol-it argumentonin se konsumi i holluesit ka qenë vetëm 47 mijë metër kub.

Gjysma tjetër ishte hedhur në treg? Me shumë gjasa po.

Ndaj për të ndalur skemën, ligji për akcizat ndryshon dhe prej vitit 2014 koncesionari i Patos-Marinzës detyrohet të paguajë akcizën për solarin që importon, në këmbim këto shpenzime do t’i zbriteshin për efekt tatimi.

Dhe çfarë ndodh?

Prej këtij viti bie edhe konsumi i holluesit. Aq sa bie në sy edhe të Agjencisë Kombëtare të Burimeve

Natyrore, të cilët e raportojnë.

“Nga vlerësimi teknik mendohet se ende vlerat e përdorimit të holluesit gjatë vitit 2013 janë shumë të larta krahasuar me rezultatet faktike të arritura sidomos në vitin 2014 me 7.5%, vitin 2015 me 5.3% dhe sidomos në vitin 2016 me 4.3%. Janë totalisht të paargumentuara dhe të papranuara norma të tilla të përdorimit të holluesit që arrijnë në vlerat 14-15% për periudhën janar-shtator 2013, ndërkohë që për periudhën tetor-dhjetor 2013 kjo vlerë luhatet në kufijtë 8.5-9.8%.”

Por Bankers duket se është gjithmonë një hap përpara, duke gjetur një rrugë të re për të mos paguar akcizën.

Holluesi nisi të blihej në tregun vendas, kryesisht nga ARMO. Në këtë pikë doganat i dërgojnë një shkresë ku sqarojnë se edhe nëse holluesi blihet në tregun vendas, akciza duhet të paguhet. Këtu historia bëhet intriguese. Sepse Bankers kundërshton dhe vazhdon të mos e paguajë detyrimin. Në vjeshtë të 2014-s Dega e Doganës Fier vendos një detyrim prej 5.8 milionë euro për pagesë detyrimesh akcize. Këtë akt-konstatim, kompania e ankimon në gjykatë dhe këtu nis edhe një betejë e gjatë ligjore mes shtetit shqiptar dhe Bankers.

Gjykata e Shkallës së Parë i jep të drejtë kompanisë dhe vendos që detyrimi të mos paguhej.

Vendimi ankimohet edhe në Gjykatën Administrative të Apelit e cila në vitin 2017 shfuqizon sigurimin e padisë dhe lë në fuqi pjesën tjetër të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Çështja ankimohet në Gjykatën e Lartë nga Avokatura e Shtetit por edhe nga Bankers që nuk bie dakord me këtë shfuqizim të pjesshëm.

Pavarësisht nga përplasja në gjykatë, Ministria e Financave i kërkon vazhdimisht doganave vjeljen e detyrimeve korrente të akcizës për muajt dhe vitet që vazhdonin, siç janë edhe këto shkresa të dërguara nga ish-ministri Arben Ahmetaj dhe ish-zv. ministri Erjon Luçi.

Kontrollet për akcizën filluan në 2019-n, ku dega e Doganave Fier mban një akt-konstatim dhe vendos që Bankers i detyrohet 30 milionë euro shtetit shqiptar për taksën e akcizës gjatë këtyre viteve, ndërsa e penalizon me 90 milionë euro gjobë, siç sanksionon edhe Kodi Doganor penalitetin 3-fish më të lartë në rast të mospagesës së detyrimit.

Në total 120 milionë euro.

Mbase tashmë erdhi dita që koncesionari të derdhë në buxhet disa taksa. Por jo, as kësaj radhe nuk ndodh gjë.
Por kjo ndalet nga një letër që ministrja Belinda Balluku i dërgon Ministrisë së Financave për të pezulluar veprimet në vjeljen e gjobës dhe detyrimit derisa çështja të përfundonte gjykimin. Ministrja e Financave në detyrë në atë kohë, Anila Denaj merr një vendim të paprecedentë dhe urdhëron pezullimin.

Në shkelje të kompetencave që i njeh Kodi i Procedurës Administrative, pasi ministri nuk ka asnjë të drejtë të pezullojë akte tatimore e doganore dhe në shkelje edhe të dispozitave të Kodit Doganor.

Në mars të vitit 2022, Gjykata e Lartë rrëzon pretendimet e Bankers dhe i jep të drejtë shtetit shqiptar. Por gjatë këtyre 3 viteve, askush nuk kishte bërë asgjë për të marrë detyrimin që i takon buxhetit të qytetarëve shqiptarë.

Bankers e humb betejën edhe në Gjykatën Kushtetuese pas një ankimimi që depozitoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Por edhe pas këtij vendimi që mban datën 25 korrik 2022, 120 milionë eurot u harruan.

Askush nuk kërkoi vjeljen e detyrimit.

Do të duhej që hetimi i Prokurorisë së Fierit të kalonte për kompetencë në SPAK që ministri i Financave Petrit Malaj të hiqte pezullimin dhe të urdhëronte arkëtimin e parave 3 vjet më vonë, në shtator 2025.

Megjithatë duket se e gjithë kjo betejë po rezulton pa sukses sepse shteti shqiptar ende nuk ka arritur të marrë këto detyrime. Në dhjetor të vitit që lamë pas, pati një përplasje mes kompanisë Bankers Petroleum dhe Drejtorisë së Doganave, ku këto të fundit bllokuan puset e kompanisë që ajo të derdhte detyrimin. Por kompania pretendon se afati për të vjelë këtë detyrim tashmë është parashkruar.

Paratë ende nuk janë marrë. /Piranjat.news

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news