Meta publikon dëshminë e plotë: SPAK fshehu provat që rrëzojnë akuzat për CEZ-DIA

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në rrjetet sociale shkruan se ka vendosur të bëjë publike një nga provat kyçe që është mbajtur e fshehtë nga organet e drejtësisë në lidhje me çështjen e shumëdebatuar CEZ-DIA, duke akuzuar drejtpërdrejt prokurorët e SPAK për manipulim dhe anashkalim të fakteve.

Në reagimin e tij, Meta thekson se për hir të transparencës ndaj opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, po publikon të plotë dëshminë e shtetasit çek Josef Hejsek, të dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit dhe nën betim, duke e cilësuar atë si të vetmen dëshmi ku flitet konkretisht për marrëdhënien mes CEZ dhe DIA në kuadër të një procesi penal.

 

Sipas Metës, kjo dëshmi është mbajtur qëllimisht jashtë vëmendjes nga prokurorët për një kohë të gjatë dhe është paraqitur vetëm në momentin kur mbrojtja ka provuar se e dispononte atë, çka sipas tij ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e hetimit.

Ai shton se dokumenti është i vulosur nga OSHEE dhe është siguruar nga një ish-zyrtar i ndershëm i institucionit, i cili, sipas Metës, ka reaguar pasi ka mësuar për një “skenar të përgatitur politikisht” për ta përfshirë atë në këtë aferë.

Në vijim, Meta nënvizon se në dëshminë e publikuar nuk përmendet emri i tij dhe as i figurave të tjera politike, ndërsa thekson se vetë përfaqësuesit e CEZ kanë konfirmuar se procesi i përzgjedhjes së DIA-s ka qenë transparent dhe i bazuar në referenca ndërkombëtare dhe eksperiencë të kompanisë.

 

5 / 6

 

Deklarata e plotë:

Për transparencë të plotë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, po publikoj sot të plotë dëshminë e Z. Josef Hejsek dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit nën betim, e vetmja dëshmi ku ai flet për DIA-n, përpara një organi të procedurës penale.

Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore.

Siç e shihni, ne e kemi me vulë të OSHEE, jo vetëm këtë dëshmi por edhe të gjitha materialet që kanë të bëjnë me çështjen CEZ-DIA sepse një zyrtar i dikurshëm i ndershëm i OSHEE na i vuri në dispozicion, fill pasi kishte dëgjuar që Edi Rama me të tijët po përgatisnin një intrigë për të përfshirë Ilir Metën te kjo aferë, siç u paralajmërua edhe në letrën zyrtare të ish-Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Z. Spartak Braho më 27 shtator 2015.

Siç e shihni, këtu jo vetëm që nuk përmendet Ilir Meta por as Qazim Tepshi ish-ambasador, as Sali Berisha ish-Kryeministër, dhe askush tjetër.

Këtu tregohet se, jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliard dollarë për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki.

Po kështu, po publikoj të plotë dëshminë e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA dhe ku do të shikoni përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, në të cilën konfirmon se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes tre personave, Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj.

Herën tjetër, do t’ju njohim me prova të reja që tregojnë se DIA ishte një krijesë amerikane dhe as ka patur dhe as mund të kishte lidhje me Ilir Metën. 

Share it :