Kapitalizmi i katastrofës/ Qeveria rikthen koncesionin e markimit, shton gjurmimin dhe ngul dy taksa të reja tek nafta
Në një kohë kur qytetarët shqiptarë paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në botë sipas fuqisë blerëse dhe shumë zëra kanë kërkuar zbutjen e barrës së rëndë fiskale, qeveria paralajmëron të kundërtën. Kryeministri Edi Rama iu rikthye sërish krizës së naftës, këtë herë nga njësia numër 4, duke njoftuar rikthimin e koncesionit të famshëm të markimit të karburanteve, ku shteti do të jetë partner me një kompani nga Emiratet. Sipas Ramës, këtë herë markimi do ta ketë bojën më të mirë se sa koncesioni i mëparshëm.
“Ishte një koncesion i trashëguar, ne u përpoqëm ta rregullonim, por ajo ishte bojë që hollohej kollaj. Tani bashkë me kompaninë publike që kemi krijuar, kemi krijuar një tjetër kompani publike bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara, ne do të nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm. Do të ndihmojë shumë kjo për të formalizuar deri në fund tregun e naftës. Sepse ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit,” tha Rama.
Kryeministri ndoshta nuk është i informuar mirë për detajet teknike. Por koncesioni i markimit nuk është ngjyrosje dhe nuk ka bojë. Ai është thjesht shënjim që bëhet përmes një molekule, formula e së cilës mbahet sekret nga kompania koncesionare. Kjo pasi nafta nuk mund të ngjyroset.
Por këto janë detaje teknike, që shefit të qeverisë nuk i interesojnë hiç, sepse qëllimi justifikon mjetin dhe në këtë rast, qëllimi është rikthimi i një koncesioni grabitqar. Madje jo vetëm një. Paralelisht kryeministri paralajmëroi edhe një tjetër koncesion, atë të gjurmimit të naftës tranzit.
“Tjetra që ndodh me naftën është e ashtuquajtura naftë tranzit, që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë në kufij tokësorë me Shqipërinë dhe pastaj ngelet në Shqipëri në mënyrë ilegale. Edhe për këtë kemi një produkt me po të njëjtën kompani, ku shteti shqiptar ka shumicën e aksioneve, për të ndjekur gjithë naftën tranzit që deri më sot është ndjekur me makina. Këto do të kenë impaktin e tyre pozitiv,” shtoi kryeministri.
Nuk dihet se çfarë do të bëjë saktësisht kompania shtetërore-arabe për gjurmimin. Me ligj ndërkombëtar, mallrat tranzit nuk lejohet të preken nga vendet në të cilat ato kalojnë, pasi janë produkte të vendeve të tjera. I vetmi kontroll që bën vendi tranzit është ai i verifikimit të vulave.
Por pavarësisht kësaj, si markimi ashtu edhe gjurmimi do të shtojnë dy tarifa të reja mbi malin e madh të taksave që shqiptarët paguajnë mbi karburantet. Dhe në një kohë kur qytetarët kërkojnë uljen e taksave, qeveria i qeras me dy taksa të reja. Ndërkohë që është në horizont edhe një e tretë, ajo e krijimit të rezervës strategjike, e cila ka një faturë 300 milionë euro dhe që nuk dihet se si do të menaxhohet, pasi rezervat mbahen në naftë bruto, por rafineria në Shqipëri shkoi për skrap.
““Ne kemi problem naftën. Por nafta është problem gjithëandej, për shkak të luftës. Unë e kam thënë edhe më parë që ne do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike. Do të hyjmë për të garantuar që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë sesa ju takon dhe për të siguruar që rezerva… Edhe kjo është një koincidencë sepse edhe ligji për rezervën strategjike që duhet të mbajë shteti, është në procesin e konsultimit,” përfundoi kryeministri.



