Nga Boldnews.al
Kur kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga nisja e hetimit për kontratën koncesionare të “Paketës së Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë-Check Up”, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) nuk ka arritur të dalë në një konkluzion nëse Marrëveshja financiare me kosto 140 milionë dollarë ndërmjet qeverisë Shqiptare dhe subjektit “3P-Life” është në përputhje me ligjin apo është një aferë korruptive.
Prokuroria e Posaçme, struktura përgjegjëse për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, u krijua në fund të vitit 2019. Vetëm pak javë pas krijimit, ajo pranoi dy kallëzime për koncesionin e Check-up, të dorëzuar nga Partia Demokratike dhe subjekti politik, “Nisma Thurje”.
SPAK ka konfirmuar se, mbi bazën e këtyre kallëzimeve, ka regjistruar procedimin penal nr.122, në janar 2020, me objekt hetimi procedurën e dhënies së koncesionit publik – privat “Për Paktën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç (i ndryshuar më vonë fasha e moshës në 35-70 vjeç), i njohur ndryshe si “Check Up – i”.
Prokurorët e posaçëm thonë se po hetojnë për disa vepra penale, përfshirë “korrupsion pasiv i nivelit të lartë”, “korrupsion aktiv”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim parash”.
Ndër personat e kallëzuar është Ilir Beqja, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Shëndetësisë në kohën e nënshkrimit të kontratës koncesionare, në vitin 2015, si edhe një seri zyrtarësh e përfaqësues të subjektit privat, të përfshirë në hartimin dhe zbatimin e procedurave të prokurimit publik mbi këtë çështje.
Kontrata, me afat 10-vjeçar, duhej të përfundonte në vitin 2025. Por, një ndërhyrje e kryeministrit Edi Rama në fund të vitit 2024, e shtoi afatin e saj edhe me dy vjet, duke vendosur afat fundor vitin 2027.

Nënshkrimi i kontratës dhe zbatimi i saj është shoqëruar me akuza të forta publike nga opozita, e cila e konsideron të gjithë procedurës si një aferë të rëndë korruptive, në të cilën përfshihet kupola e lartë e Qeverisë, përfshirë edhe vetë kreun e Ekzekutivit, Rama.
Sipas kallëzimit zyrtar dhe akuzave publike, Rama i dorëzoi kontratën 140 milionë euro plus mikeshës së tij, biznesmenes Vilma Nushi, një sipërmarrëse që nuk kishte asnjë aktivitet që lidhej me sektorin e Shëndetësisë.
Zbatimi i kontratës koncesionare është shoqëruar gjithashtu me dyshime të shumta. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në vitin 2023, konstatoi se Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSKDSH) ka paguar në llogarinë e kompanisë “3P-Life” miliona euro më shumë se sa shërbimet që ka ofruar.
Kontrata 140 mln euro plus
Në janar të vitit 2025, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, nënshkroi kontratën koncesionare me subjektin privat “3P-Life Logistic” për ofrimin e shërbimit të kontrollit bazë për fashat e popullsisë nga 40-65 vjeç.
Kjo fashë u zgjerua më vonë për grup-moshat nga 35-70 vjeç. Kontrata parashikonte kosto koncesionare në vlerë rreth 140 milionë dollar. Në bazë të Marrëveshjes, kompania koncesionare do të ofronte një set analizash dhe kontrollesh bazike për personat përfitues.

Kontrata fillestare parashikonte zbatimin e saj për një afat 10-vjeçar. Nëpërmjet saj, qeveria synonte që qytetarët të kryenin kontrollet rutinore pa pagesë, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Kostot e shërbimit do të paguheshin nga Shteti.
Kompania fituese
Kontrata koncesionare u fitua nga shoqëria “3P-Life”, një subjekt i posaçëm i krijuar nga bashkimi i kompanive “Marketing and Distribution” me 80 përqind të kapitalit dhe “Trimed” shpk, me 20 përqind të aksioneve.
Aksioneri kryesor, “Marketing & Distribution” është në pronësi të sipërmarrëses Vilma Nushi, e njohur gjerësisht si një mikeshë e kryeministrit Edi Rama. Kompania e Nushit nuk ka pasur asnjëherë aktivitet në fushën e shëndetësisë.

Për më tepër, “M&D” ka qenë për një kohë të gjatë e përfshirë në sektorin e duhanit dhe alkolit, dy përbërës që ndikojnë negativisht në shëndetin e njerëzve.
Hetimet e zvarritura
Hetimet për koncesionin e “Check-up”-it janë konsideruar të ndërlikuara nga Prokuroria e Posaçme, megjithatë kur kanë kaluar më shumë se 6 vjet, krijon dyshimet se e gjithë çështja po shkon drejt sfumimit dhe, ndoshta, edhe pushimit të saj.
Pasi ka kryer veprime me dokumentat, prokurorët e çështjes vetëm në vitin 2023 thirri të paktën 70 qytetarë nga Elbasani, për t’i pyetur lidhur me mënyrën se si e kanë përfituar shërbimin e Kontrollit Shëndetësor Bazë-Check Up.
Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë një argument publik se për cilat arsye ka përzgjedhur të pyesë qytetarët nga Elbasani, ndërkohë që kompania koncesionare ofron shërbimin në çdo njësi shëndetësore në Shqipëri, përfshirë edhe Tiranën.
Megjithatë, përtej planit hetimor, fakti është që tashmë, kur është Prill 2026, veprimet proceduriale për “Check-Up-in”, ende nuk kanë përfunduar.
Zgjatja e kontratës me dy vjet
Kontrata koncesionare bazë parashikonte që ajo kishte afat 10-vjeçar. Ndërkohë, në fund të vitit 2024, Qeveria vendosi shtyrjen e saj edhe me dy vjet, duke parashikuar afat fundor vitin 2027.
Ministria e Financave argumentoi në atë kohë se shtyrja vjen për shkak të pezullimit të kontratës në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19.
Kontrata e Check-Up u pezullua nga marsi 2020 deri në shtator 2021 për rreth 17 muaj, si rrjedhojë e masave kufizuese në lëvizje për parandalimin e virusit. Afati i pezullimit shkoi si shtyrje automatike që i lejon kompanisë ofrimin e shërbimit edhe për dy vite të tjera nga viti 2025.



