Dita e teatrit dhe dhuna ndaj trashëgimisë kulturore’, Gazetarja: Barbaria kulturore nuk harron askënd!
Gazetarja Beti Njuma, në një prononcim në rrjetet sociale, shkruan se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, është ironike dhe tragjike të kujtojmë shembjen e Teatrit Kombëtar, tempullit më të rëndësishëm të skenës shqiptare.
Ajo ndan një foto të shkrepur nga Roland Tasho, në ditën e fundit të qëndresës së godinës, ku shfaqet edhe aktori Romir Zalla, duke rikujtuar momentet e fundit përpara se “barbarët e shembën” ndërsa Teatri kishte ende histori për të treguar.
Beti thekson dhunën ndaj trashëgimisë kulturore dhe ironizon mbi lumturinë e atyre që, sipas saj, me padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, gëzohen sot me “fotot e bëra me sekserin Veliaj”, duke u bërë vula e vandalizmit për brezat që do të vijnë.
Postimi i plotë:
Sot qenka Dita Ndërkombëtare e Teatrit dhe është cinike, ironike, komike dhe trashanike ta kujtojmë këtë ditë, ne populli që lejuam dhe lëvduam shembjen e tempullit më të rëndësishëm të skenës, Teatrin Kombëtar.
Kjo foto është shkrepur në ditën e fundit të qëndresës së Teatrit në këmbë dhe për të i jam mirënjohëse fotografit të njohur Roland Tasho. Kishte kaq kohë që e kishim lënë me Landin të shkrepnim disa foto, veshur me kostumin tironc, përballë Teatrit, por jo sot, jo nesër, dhe ditët iknin.
Më 15 maj më merr Landi në telefon dhe më thotë: “Beti, ikim nesër, se nuk dihet çfarë ndodh me godinën.” Dhe ikëm. Shkrepëm një set fotosh, ndër të cilat edhe kjo me aktorin Romir Zalla. Ishte dita e fundit e Teatrit!
Pas disa orësh, duke u gdhirë 17 maji, barbarët e shembën, pa e lënë që të moshohej si në të gjithë botën një teatër me histori. Jam e lumtur që e kam këtë foto, ndërsa dhunuesit e Teatrit, siç shkruante Lubonja me siguri: “Të lumtur në padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, do vazhdojnë të jenë të lumtur me fotot e bëra me sekserin Veliaj. Ato foto do t’u mbeten si vula vandalizmi, me të cilat do të tallen brezat që do të vijnë!”




