GRUPI I KRIMINAL NË AKSHI/ Kërkoi kthimin e 8 celularëve, Gjykata e Lartë rrëzon zyrtaren e lartë të Policisë
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Ervina Gjanës, zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, e cila kërkonte kthimin e aparateve celulare të cilët janë sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t.
Gjana pasi u refuzua nga shkalla e dytë e gjyqësorit për të cilën vendosi t’i ktheheshin vetëm telefonat e fëmijëve, iu drejtua Gjykatës së Lartë për kthimin e 8 aparateve celulare.
SPAK po në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e zyrtares, pasi sipas të dhënave bashkëshorti i saj rezulton të ishte shofer i biznesmenit Ergys Agasi.
Bëhet fjalë për shtetasin Renato Hristic që po ashtu është nën hetim nga struktura e posaçme.
Për këtë çështje, masa sigurie janë vendosur ndaj 7 personave, mes tyre ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa në kërkim vijojnë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët SPAK-u i konsideron përfituesit kryesorë të tenderëve të AKSHI-t.
Sipas hetimeve, Agasi dhe Beqiri, bashkë me persona të tjerë, ushtronin presion dhe shantazh ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga garat e tenderëve.
Hetimet zbuluan se miliona euro të përfituara nga dy kompani shpërndaheshin më pas me fatura fiktive drejt subjekteve të tjera, ndërsa tre administratorë janë aktualisht në masë sigurie.
Dy prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani kanë intensifikuar hetimet pasi kohëve të fundit janë rimarrë në pyetje dy ish-zyrtarët e AKSHI-t drejtoresha Karçanaj dhe zv. drejtoresha Delibashi.



