Artikulli në median gjermane/ Kos hedh poshtë propozimin Rama-Vuçiç.

Artikulli në median gjermane/ Kos hedh poshtë propozimin Rama-Vuçiç.

Komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, hodhi poshtë një propozim të Ramës dhe Vuçiçit, të cilët, në një bashkëopinion për Frankfurter Allgemeine Zeitung, bënë thirrje për integrimin e përshpejtuar të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe zonën Shengen, pa të drejtë vetoje.

“Nuk jam e sigurt nëse udhëheqësit e këtyre vendeve, Vuçiç dhe Rama, e dinë se sa duhet të bëjnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit ose tregut të përbashkët dhe se procesi i reformave është i vështirë për integrimin ekonomik, si dhe për anëtarësimin në BE”, tha ajo.

Duke folur për Politico, Kos theksoi se Komisioni Evropian u ka paraqitur tashmë tre opsione (për politikën e zgjerimit) vendeve aspirante, dhe pa vendimet e shteteve anëtare nuk mund të ecim përpara.
Euractiv, së fundmi, ka publikuar, duke iu referuar burimeve jozyrtare, se Komisioni Evropian po shqyrton tre opsione kryesore për politikën e ardhshme të zgjerimit – i pari do të nënkuptonte që sistemi ekzistues të mbetet i pandryshuar, i dyti, i ashtuquajturi “integrim gradual”, ndërsa i treti, “integrim fazor”.

Siç u shpjegua, “integrimi gradual” do të nënkuptonte që vendet kandidate t’u bashkohen një sërë iniciativash dhe programesh të BE-së, por pa marrë anëtarësim formal, ndërsa “integrimi fazor” do të nënkuptonte që shtetet të marrin shpejt anëtarësim zyrtar dhe më pas të vazhdojnë të zbatojnë reformat.

Share it :