Institucionet janë bërë palaço’, Malltezi: Regjisori Rama po mbron kukullat e tij, Gjoka u keqpërdor kundër opozitës
Vendimi i SPAK për të mos filluar procedim penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka është cilësuar si një akt i pabesueshëm dhe pjesë e “telendisjes së të gjithë institucioneve të drejtësisë”. Këto akuza të forta vijnë nga drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, kur tha se “sistemi i drejtësisë nuk funksionon në mënyrë të pavarur,’ por drejtohet nga një “regjisor” politik, duke iu referuar Kryeministrit Edi Rama.
Sipas Malltezit, rasti i gjyqtares Gjoka është dëshmia e kapjes së sistemit. Ai denoncoi një vonesë dyvjeçare nga Prokuroria e Përgjithshme për verifikimin e një vule apostile, një certifikim i nivelit të lartë ndërkombëtar që, sipas tij, duhej të ishte pranuar pa hezitim. Ai përshkroi një kalim përgjegjësie mes Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke i quajtur institucionet “palaço që mbrojnë një të pambrojtshme”.
Arsyeja e kësaj mbrojtjeje, sipas Malltezit, është se gjyqtarja Gjoka është “keqpërdorur” nga qeveria në çështje gjyqësore kundër figurave të opozitës. Një vendim eventual i KLGJ-së kundër saj do të pasonte me pavlefshmërinë e të gjitha gjyqeve ku ajo ka marrë pjesë dhe ku palët opozitare kanë kërkuar përjashtimin e saj. “Të gjithë liderat e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e Irena Gjokës si person i cili nuk është i paanshëm dhe nuk përmbush kriteret për të qenë gjyqtare”, theksoi ai, duke shtuar se kjo do të bënte që të gjitha këto çështje “të bien në kosh plehrash”.
Në analizën e tij, Malltezi hodhi akuza direkte ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. Ai pretendoi se Dumani është “i kapur në afera”, duke përmendur pasuri të pajustifikuara, si një apartament dhe shtëpi “të falura”, si dhe e akuzoi se po fsheh një kushëri të dënuar penalisht, të cilit i mban peng dosjen e apelit. Sipas Malltezit, prokurori i çështjes “Gjoka” është thjesht një vegël në duart e Dumanit, duke e cilësuar të gjithë situatën si një shembje të dinjitetit të shtetarëve dhe institucioneve të drejtësisë.
Flavio Qarri: Do të flasim me Jamarbër Malltezin në këtë mëngjes. Mirëmëngjesi zoti Malltezi. Ju jeni objekt dhe subjekt i preferuar, simpatik për Irena Gjokën. Malltezi, SPAK-u del me një vendim amnistimi të pabesueshëm. Duhet të dimë njëherë personalisht ju si u ndjetë dje?
Jamarbër Malltezi: Shiko, kjo është në vazhdën e telendisjes së të gjithë institucioneve të drejtësisë. Për fat të keq, ne nuk kemi drejtësi, ne kemi një regjisor, i cili është Edi Rama dhe i cili i urdhëron të gjithë këto. Dhe për fat të keq këto janë telendarë, nuk janë shtetarë dhe prandaj kemi mbërritur në këtë nivel që kemi mbërritur. Po të kesh parasysh, ju e thatë vetë, Prokuroria e Përgjithshme mbajti dy vjet. Ndërkohë e kishte me vulë apostile. Vula apostile është përtej noterizimit të zakonshëm, është niveli më i lartë i garancive që japin shtetet me njëri-tjetrin. Dhe prapë Prokuroria e Përgjithshme mbajti dy vite, po ta kesh parasysh. Më pas, nuk e bëri publike Prokuroria e Përgjithshme raportin. Çfarë kishte këtu një sekret kaq të madh saqë duhet ta ruante? Pra nuk duhet të dilte publike. Ia çon KLGJ-së. KLGJ-ja gjithashtu, që katër letra na kish çuar neve duke thënë që nuk e pranoj vulën apostile se e dua vetëm nga Prokuroria e Përgjithshme dhe pastaj do vendos, mbasi që ia solli Prokuroria e Përgjithshme, prapë këtë pataten e nxehtë e hoqi nga vetja, ia çuan ILD-së. Është e paimagjinueshme se deri ku kanë shkelur ligjin, kanë kapërcyer mbi veten, kanë delegjitimuar të gjithë institucionet, janë, janë tallur, nëpërkëmbur dhe kanë shembur dinjitetin e tyre në radhë të parë si njerëz, më pas si shtetarë apo si organe të drejtësisë. Ja hodhën ILD-së…
Flavio Qarri: Më fal, dinjitetin e pamë te WhatsApp-i i KLP-së…
Jamarbër Malltezi: Po, është e njëjta. Kjo reforma në drejtësi, këto perversitete ka krijuar. Ia çuan ILD-së. E bukura është, ne e kërkojmë raportin Prokurorisë, thotë nuk ua jap, thotë merreni te KLGJ-ja. Ia kërkon KLGJ-së, thotë jo, e kam çuar pataten e nxehtë te ILD-së, merreni te ILD-ja. Ia kërkojmë ILD-së, ILD-ja gjithashtu thotë jo, t’jua japi KLGJ-ja, nuk ua jap unë. Pra, të gjithë këto institucione janë bërë palaço për të mbrojtur një të pambrojtshme. Domethënë, pse bëhet kjo? Sepse Irenën e kanë keqpërdorur pikërisht se ja dinin këto. I dinin jo vetëm dënimin penal, po i dinin edhe dy dëbimet, për të cilët nuk flitet as në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, as në raportin e SPAK-ut. Fshihet. Ka, përveç dy dënimeve…
Flavio Qarri: SPAK-u kishte adresuar vetëm njërën nga problemet…
Jamarbër Malltezi: Po, vetëm dënimet, jo dëbimet. Një dënim, po, dhe nuk ka adresuar as falsifikimin e formularëve. Tani të kemi parasysh çfarë ka thënë ky prokuror. Ky prokurori është një lepepeqe i Altin Dumanit i cili është i kapur në afera, është i kapur sepse ka apartament sikur ia ka falur, ka shtëpi sikur ia ka falur kisha, ka dhe apartamente me goxha probleme me kushëririn që ia ka falur këtij bashkë me dyqan, ia ka falur kushëriri i gruas, i cili kërkohet, i cili ka një dënim penal prej gjashtë vitesh dhe Dumani e fsheh. E ka çuar në Amerikë dhe i mban peng apelin e personit. Është, domethënë, po t’i shohësh këto është për të vënë duart në kokë. Pra Dumani është po prapë Irena Gjoka në vetvete. Ç’po bën? Regjisori po mbron kukullat e tij. Pse po i mbron? Sepse Irena Gjoka është keqpërdorur në të gjitha aferat e qeverisë, në të gjitha pislliqet që ka bërë qeveria, është keqpërdorur Irena Gjoka. Dhe hedhja poshtë e Irena Gjokës bën çdo gjyq të jetë nul. Pra, nuk kemi një gjykatë të krijuar me ligj.
Flavio Qarri: Një sekondë. Ju po thoni që nëse KLGJ-ja merr një vendim ndaj Irena Gjokës, presupozohet që të gjithë vendimet që ajo ka marrë në kuadër të reformës në drejtësi, pra gjashtë vjet e këtej, zerohen?
Jamarbër Malltezi: Ato që e kanë kërkuar që Irena të mos ishte pjesë. Jo të gjitha automatikisht. Në rast se pala nuk e ka kërkuar heqjen e Irenës. Por praktikisht shumica e kanë kërkuar. Të gjithë të opozitës bien në kosh plehrash. Prandaj mbahet Irena Gjoka. Të gjithë të opozitës sepse të gjithë liderat e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e Irena Gjokës si person i cili nuk është i paanshëm dhe nuk përmbush kriteret për të qenë gjyqtare…




