Open Data Albania: AKSHI fik transparencën, qytetarët pa informacion mbi shpenzimet publike
Prej datës 26 shkurt, faqet zyrtare të shtetit shqiptar nuk po publikojnë më të dhënat për pagesat dhe transaksionet e Thesarit nga institucionet buxhetore, duke ndërprerë një instrument kryesor transparence që shërben për monitorimin e shpenzimeve publike.
Sipas Open Data Albania, ndërprerja nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim në politikat e transparencës, por lidhet me ndryshimet e shumta në stafet IT të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Stafi i ri ende nuk duket se ka kuptuar plotësisht detyrat dhe përgjegjësitë e tij, duke rrezikuar që situata të zgjasë.
Ndërprerja e publikimit të të dhënave të Thesarit nuk është një problem teknik i zakonshëm. Sistemi i konsoliduar i transparencës ka shërbyer prej vitesh si një nga mjetet kryesore për llogaridhënien dhe kontrollin e shpenzimeve publike.
Open Data Albania paralajmëron se mungesa e transparencës rrit rrezikun që klientë të caktuar të qeverisë, institucioneve buxhetore apo vetë AKSHI-t të përfitojnë pa u monitoruar nga kontrolli publik.
Reagimi i Open Data Albania:
Kur Transparenca Fiket!!
Nga AKSHI nën Hetim në AKSHI që ‘Zhduk Gjurmët’ e Shpenzimeve Publike ?????
Prej datës 26 shkurt, në faqet zyrtare të shtetit shqiptar është ndërprerë transparenca mbi publikimin e të dhënave për pagesat dhe transaksionet e Thesarit nga institucionet buxhetore.
Shkaku nuk lidhet me ndonjë zhvillim apo ndryshim të praktikave të transparencës. Arsyeja, sipas informacioneve të disponueshme, lidhet me ndryshimet e shumta në stafet IT, pjesë e organigramës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Stafi i ri ende nuk duket se ka kuptuar plotësisht detyrat dhe përgjegjësitë e tij, ndërsa ekziston rreziku që kjo situatë të zgjasë, duke shënuar një rast ekstrem kur institucionet nuk përmbushin funksionin e tyre bazë: garantimin e transparencës publike.
Ndërprerja e publikimit të të dhënave për pagesat e Thesarit nuk është një problem teknik i zakonshëm. Bëhet fjalë për një sistem të konsoliduar transparence, i cili prej vitesh ka shërbyer si një nga instrumentet kryesore për monitorimin e shpenzimeve publike dhe për forcimin e llogaridhënies.
Deri në rikthimin e këtij informacioni, publiku mbetet pa mundësi për të kuptuar se si shpenzohen fondet publike, cilët janë përfituesit e pagesave, dhe nëse fondet publike po përdoren në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Në këtë situatë, rritet rreziku që klientë të caktuar të qeverisë, institucioneve buxhetore apo vetë AKSHI-t, të përfitojnë pa u vënë re nga kontrolli publik.
Mungesa e transparencës në një sistem që duhet të jetë automatik dhe i institucionalizuar ngre shqetësime serioze për llogaridhënien publike, kontrollin qytetar dhe menaxhimin e financave publike.
Sepse kur transparenca ndalon, lind dyshimi: është paaftësi administrative apo një errësim i qëllimshëm i shpenzimeve publike?




