Nuk ka surpriza/ Skandali: U faktua dënimi në Greqi dhe mashtrimi në formularin e dekriminalizimit, SPAK pushon ceshtjen per Irena Gjoken

Nuk ka surpriza/ SPAK kërkon pushimin e çështjes së Irena Gjokës: Nuk provohet vepra penale

SPAK ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila ishte kallëzuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Procedimi penal u regjistrua më 5 qershor 2025, mbi bazën e kallëzimit të Adriana Kalasë, i cili përfshinte dyshime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK thotë se ka administruar dokumente nga institucione shqiptare dhe greke, si dhe ka kryer verifikime nga të cilat ka rezultuar se Gjoka kishte qenë subjekt i procedurave gjyqësore në Greqi, ku në vitin 2005 Gjykata e Janinës e kishte shpallur fajtore për përdorim dokumentesh të parregullta.

Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.

Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë.

Për pasojë, thotë SPAK, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale.

“Nga aktet e administruara, përfshirë dokumentacionin e përcjellë nga autoritetet e drejtësisë së Republikës së Greqisë, evidentohet se ndaj shtetases Irena Gjoka (alias Shpata; Maneku) ekziston një vendim gjyqësor penal i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, me nr. 1447/2005, përmes të cilit ajo është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit).

Materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi, pas dy episodeve në kufi, ku është konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke.

Në vijim, nga dokumentacioni i siguruar rezulton se ndaj saj është zhvilluar edhe një proces penal në Greqi, konkretisht me vendimin nr. 1447/2005 të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për përdorim dokumentesh të parregullta. Megjithatë, ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit.

Gjithashtu, nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni në mënyrë efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij.

Autoritetet greke, në vijim të zbatimit të legjislacionit përkatës (ligji nr. 3346/2005), kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Po ashtu, nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm.

Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.

Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes, mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronja “d” dhe “dh”, si edhe 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo kërkesë i është dorëzuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”,- thuhet në njoftimin e SPAK.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news