Berlini rrëzon formulën Rama–Vuçiç, pa reforma nuk ka integrim ekonomik

Berlini rrëzon formulën Rama–Vuçiç, pa reforma nuk ka integrim ekonomik

Gjermania, përmes deputetit Peter Beyer, refuzon qartë idenë e Ramës dhe Vuçiç për të përfituar nga tregu unik dhe hapësira Shengen pa përmbushur standardet demokratike.

Gjermania nuk duket e bindur të blejë “rrugën e shkurtër” që dy ballkanasit Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, po përpiqen t’i shesin Europës si gjoja një e mirë e përbashkët. Në një kohë kur testet themelore të demokracisë, zgjedhjet e ndershme, shteti i së drejtës dhe lufta reale kundër korrupsionit dhe krimit mbeten ende të papërfunduara, ideja për të hyrë me përfitime ekonomike në tregun unik europian shihet në Berlin më shumë si shmangie nga llogaridhënia, sesa si progres për t’u shpërblyer.

Përgjigjja vjen e ftohtë dhe nuk lë shumë vend për interpretime nga deputeti i CDU-së, Peter Beyer, njëkohësisht drejtues i Grupit të Ballkanit Perëndimor në Bundestag. Në një intervistë për podkastin serb “Gjysmë Ore Demostat”, ai i referohet drejtpërdrejt artikullit të përbashkët të Ramës dhe Vuçiç në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke ngritur pikërisht dyshimin që qëndron në thelb të këtij debati: a mund të ndahet përfitimi ekonomik nga detyrimet politike?

Duke iu referuar shkrimit të përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, deputeti gjerman hedh dyshime se plotësimi i kërkesave të tyre për t’u futur në tregun unik, mund të pasohet me braktisjen e detyrimeve të tjera ndaj Bashkimit Europian, për vlerat europiane dhe përparimin drejt një shoqërie demokratike.

“Ne e kemi parë që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç së fundi bashkëshkruan një opinion mbi këtë temë, i cili ngjalli reagime të ndryshme, mbështetje, por edhe kritika. Unë mund ta kuptoj qëllimin e tyre. Ata madje propozuan se ndoshta nuk do të ishte e nevojshme që menjëherë të kishin edhe të drejtën e vetos.

Pra, po flitet për akses në tregun e brendshëm ose në tregun unik. Siç thoshte me të drejtë Bill Clinton, “është ekonomia, budallenj”. Po, sigurisht që ekonomia është e rëndësishme, por kjo nuk mund të mbarojë vetëm aty. Nuk mund të përfitosh vetëm nga tregu i brendshëm dhe pastaj të harrosh gjithçka tjetër. Prandaj shumë njerëz po lodhin mendjen për të gjetur çfarë mund të bëhet për të krijuar stimuj, edhe sa i përket popullaritetit të procesit të anëtarësimit në shoqëritë përkatëse, si ta bëjmë më tërheqës, si të rrisim motivimin dhe mbështetjen” ka thënë Beyer.
Deputeti gjerman shkon më tej dhe rrëzon një iluzion tjetër, që hapja e dyerve për në tregun e përbashkët europian të jetë faza e fundit e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo lidhet direkt me idenë franceze të artikuluar nga presidenti Emanuel Macron, i cili ka propozuar krijimin e “Komunitetit Politik Europian”, një lloj organizate paneuropiane që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit ekonomik të të gjitha vendeve të kontinentit, duke i lënë përfundimisht në periferi ata që nuk integroheshin dot në Bashkimin Europian.

Në këtë qasje, e cila është parë me simpati, si nga Rama, ashtu edhe nga Vuçiç, vendet e Ballkanit Perëndimor do të kalonin në një stad me Gjeorgjinë, Ukrainën etj. Por Peter Beyer e mohoi kategorikisht këtë zgjidhje, duke e quajtur tradhti ndaj premtimeve të mëhershme të Bashkimit Europian.

“Ka një gjë që dua ta them si paralajmërim. Disa njerëz në Evropë mendojnë se kjo duhet të jetë pika fundore, vetëm një anëtarësim i asociuar dhe jo anëtarësim i plotë në fund, pra që BE-ja t’u ofrojë me bujari vendeve kandidate vetëm një status të ndërmjetëm. Kjo do të ishte tradhti, tradhti ndaj vetes sonë. Përsëri i referohem samitit të Selanikut në vitin 2003. Ne premtuam një perspektivë evropiane dhe mendoj se ai premtim duhet të mbetet i vlefshëm. Po, të mendohet për diçka gjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë, unë e mbështes plotësisht këtë. Por duhet të ketë kuptim, të jetë e mençur, jo zgjedhje sipas qejfit nga njëra anë dhe jo një rrugë pa krye nga ana tjetër”
Disa javë më parë, në një editorial të përbashkët në gazetën e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç njëzëri kërkuan akses në hapësirën Shengen dhe tregun unik të BE, por pa të drejtë vetoje dhe pa pasur ministra në Komision dhe eurodeputetë në parlament.

Përmes kësaj lëvizjeje Rama dhe Vuçiç kërkojnë të anashkalojnë përpjekjen për një anëtarësim të plotë politik, që kërkon plotësimin e kushteve shumë herë më të vështira për autokratët tipikë të autokracive elektorale.

“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengeni dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Unionit”, – thuhej në artikullin tyre.
Letra u kritikua në Prishtinë nga ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, e cila në qeverinë e shkuar mbante postin e shefes së diplomacisë. Gjatë një interviste në RTK, ajo deklaroi se “qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë se, atëherë kur Vuçiçin Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”. Sikur të mos mjaftohej me këtë ministrja e kabinetit Kurti vijoi: “Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë, ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”.

Duke folur për afatet që qeveritë e vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi u kanë vënë vetes për integrimin, raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Peter Beyer foli si për një situatë joserioze.

“Gjithmonë ka qenë e vështirë dhe unë gjithmonë kam hezituar shumë kur vjen puna tek vendosja e afateve, se kur cili vend do të anëtarësohet, sepse kjo nuk është një qasje serioze. E di që kohët e fundit, vende si Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë bërë pak presion vetes me slogane si “28 deri në 2028” apo slogane të ngjashme. Por, nëse flasim për një qasje serioze, asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo që më parë quhej shpesh parimi i “regatës”. Çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të gjykohet sipas meritave të veta. A i ka përmbushur kriteret, acquis, kriteret e Kopenhagenit, reformat që çdo vend duhet t’i bëjë për vete? Kjo është thelbësore.” është shprehur përfaqësuesi i Bundestagut.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së për momentin nuk është ndër pesë prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian. Madje, tha ai “nuk është as ndër prioritetet kryesore të qeverisë sime” duke shtuar një të vërtetë të hidhur, se “në vendin tim (Gjermani) dhe në vende të tjera, zgjerimi i BE-së jo vetëm që nuk është popullor, por është jopopullor”./Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news