Çmimet e larta të naftës/ Shqiptarët paguajnë taksa për një litër dyfishin e rajonit

Çmimet e larta të naftës/ Shqiptarët paguajnë taksa për një litër dyfishin e rajonit

Sot një litër naftë në tregun e pakicës tregtohet me 214 lekë për litër, ose rreth 2.2 euro sipas kursit mesatar të këmbimit

Nafta në Shqipëri tregtohet me çmimin më të lartë në rajon. Çmimet më të lira janë në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ku aktualisht karburanti po tregtohet me rreth 1.6 euro për litër. Në Kosovë çmimi u rrit së fundmi në 1.7-1.8 euro/litër, por deri dy ditë më parë ishte rreth 1.6 euro/litër.

Mesatarisht, një përdorues automjeti në Shqipëri e paguan çmimin final mesatarisht 25-40% më shtrenjtë sesa në vendet e tjera të rajonit.

Po si shpjegohet ky çmim më i shtrenjtë?! Nëse shohim strukturën se si ndërtohet çmimi, në Shqipëri është fakt i njohur që barra e taksave është më e larta në rajon. Por, sa janë taksat që paguhen:

Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera.

Mali i Zi ngarkon mbi çmimin e naftës vetëm akcizën, që së fundmi është përgjysmuar në 0.22 euro për litër, si një mjet për të lehtësuar rritjen e çmimeve. TVSH në Mal të Zi është 21%.

Maqedonia e Veriut ngarkon mbi naftën vetëm akcizë prej 0.42 lekë për litër. Së fundmi, qeveria e Maqedonisë së Veriut uli TVSh-në për naftën dhe benzinës nga 18% në 10% si një masë e përkohshme për të amortizuar rritjen e çmimit në bursa.

Kosova ka akcizë prej 0.37 euro për litër dhe TVSH prej 18%.

Në total, aktualisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.

Në vlerë, sa herë që ble një litër karburant, çdo përdorues makine në Shqipëri, paguan dy herë më shumë taksa sesa banorët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut.

Nëse hiqen taksat kryesore, çmimi i blerjes me shumicë, duke shtuar marzhet e pakicës dhe kostot e tjera të aktivitetit (kostot e punës, transport nga depot në rrjet, energji, firo ligjore, amortizimi, kredi bankare etj), në të gjitha vendet e rajonit është pak a shumë në të njëjtat nivele në rreth 1-1.1 euro për litër./Monitor

Share it :