Anulimi i tenderit në Porto Romano/ Malaj: Skemë për të shpëtuar kompaninë nga miliona euro gjobë
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka hedhur akuza mbi menaxhimin e tenderit për Porto Romanon, duke pretenduar se qeveria po përdor një manovër ligjore për të mbrojtur kompaninë fituese nga penalitetet financiare.
I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV me Flavio Qarri, ish-ministri u shpreh se përdorimi i termit “anulim” në vend të “tërheqje” është një skemë e mirëmenduar që i kursen kompanisë miliona euro dhe i hap rrugën për të paditur shtetin shqiptar.
Malaj shpjegoi gjithashtu se dallimi mes dy termave është thelbësor. Nëse kompania do të konsiderohej e “tërhequr” nga gara pas shpalljes fituese, ajo do të duhej të penalizohej automatikisht. Kjo do të përfshinte konfiskimin e garancisë prej 8.2 milionë eurosh, e cila duhet të kalonte në buxhetin e shtetit, si dhe përfshirjen e saj në listën e zezë, duke i ndaluar pjesëmarrjen në tendera publikë në Shqipëri për një periudhë nga një deri në tre vjet, në përputhje me standardet ndërkombëtare si ato të OECD-së.
Arben Malaj: Që të kuptojnë cilat janë rreziqet potenciale. Keni parasysh argumenti kryesor kundër portit të Romano është fakti që nuk mund të ndërtohet port mallrash në moçal, në kënetë. Por problemi më i madh që kanë shqiptarët, është se në moçal ka ngecur dhe anijet politike ku shqiptarët varen shpresat që nga ’90-a.
Shqetësimi im kryesor është abuzimi, vjedhja. Ju e mbani shumë mirë se jeni një gazetar i talentuar, që kur do privatizohej ARMO dhe Alpetroli, erdhi një kompani nga Amerika, nëpërmjet Thaçit, e cila bëri deklaratën bombastike që ne do ta blejmë me 900 milionë dollarë. Që të futeshin në garë, ata duhet të paguanin një garanci 80 milionë dollarë. Të cilën ata u tërhoqën nga gara, i shkaktuan një dëm ekonomisë tonë dhe ministra të korruptuar, nëpunës të korruptuar, dhe doli se garancia ishte falso dhe për të, nga përvoja ime si bankier, që nga ’92-shi, për të verifikuar një garanci që ka për detyrë Ministria e Financave dhe Ministria e Linjës i kërkon ndihmë Ministrisë së Financave ose autoriteti i prokurimeve publike, duhen vetëm maksimumi 10 minuta. I njëjti shqetësim vjen tani, por këtu është më i thellë problemi. Unë me profesorin lexojmë në detaje. Po të shikoni me kujdes, qoftë Rama, qoftë ministri i ri, flasin për anulim të tenderit. Ndërsa ajo që ka ndodhur faktikisht është tërheqje e kompanisë.
Në qoftë se do pranojmë anulimin, kompania ka të drejtë pak më vonë të na hedhë në gjyq dhe të kërkojë miliona dollarë, sepse ne i kemi shkaktuar dëm. Pra ajo duke qenë se ishte fituese. Nga ana tjetër, duke thënë anulim ka një gjë akoma më të thellë. Rama thotë që do ta bëjmë shumë shpejt. E para nuk ka, nuk ka studim të fizibilitetit. Sa ja vlen për një investitor të hedhë paratë e tija në një port, se nuk bëhet dot me paratë e buxhetit të shtetit, pa qenë një projekt shumë i madh. Dhe vetëm faza e parë është 400 milionë dhe i gjithë projekti me pesë faza shkon 2 miliardë. Dhe nga përvoja ime si ministër finance, kjo kosto do të rritet dhe do të shkojë jo më pak se 3 deri në 4 miliardë dollarë. Sepse dhe inflacioni po rritet dhe rrisqet politike po rriten dhe probleme të tjera. Kështu që, në këtë aspekt, fjala anulim përdoret për ta mbajtur në garë kompaninë.
Në qoftë se ne themi anulim, ne nuk kemi të drejtë t’ia marrim garancinë. Në qoftë se ai është tërhequr, ai duhet penalizuar. Penalizimi i parë është t’i merret 8.2 milionë dhe të futen në buxhetin e shtetit shqiptar. Penalizimi i dytë, dhe këtu është hileja më e madhe, e djalli qëndron në detaje, është që kompani të tilla që krijojnë një kosto mbi zhvillimin e një vendi, me tërheqjet e tyre pasi kanë fituar një garë, duhet të përfshihen në të gjitha standardet e OECD-së dhe të gjitha standardet ndërkombëtare, këto kompani që deformojnë konkurrencën, që krijojnë vonesa, që bëjnë lojëra gjeopolitike, dënohen të mos marrin pjesë në tendera publikë të shteteve, në këtë rast të Shqipërisë, nga një deri në tre vite. Pikërisht për t’i krijuar mundësinë që ajo të futet, është bërë, po keqpërdoret, prandaj ky është një abuzim me letra të tjera publike, fjala anulim. Nuk ka anulim. Sepse ajo është paraqitur në garë. Në qoftë se ajo është tërhequr, aq më keq, duhet t’i merren lekët dhe urgjentisht dhe duhet të futen në buxhet.




