IKMT ‘e mbytur’ me borxhe, 1.1 miliardë lekë detyrime nga gjyqet e humbura
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur një nivel të lartë detyrimesh dhe mangësi në administrimin e fondeve publike nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, të lidhura kryesisht me proceset gjyqësore të humbura dhe mënyrën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatave gjatë periudhës 2020–2024.
Sipas raportit të auditimit, në këtë periudhë janë likuiduar në total mbi 554 milionë lekë për detyrime që burojnë nga procese gjyqësore, ndërsa deri më 31 dhjetor 2024 totali i detyrimeve të mbetura për këto procese arrin në afro 1.1 miliardë lekë.
Nga kjo shumë, 1,026,254,890 lekë përfaqësojnë detyrime për vendime gjyqësore të formës së prerë, 46,722,762 lekë janë taksa përmbarimore dhe 18,288,702 lekë janë shpenzime gjyqësore, të cilat kanë rënduar drejtpërdrejt buxhetin e institucionit. Auditimi ka konstatuar se mënyra e shlyerjes së këtyre detyrimeve nuk ka qenë në përputhje me parimin e pagesës sipas metodës FIFO, ndërsa për shkak të vlerave të larta është aplikuar shpesh edhe pagesa me këste.
Vetëm për vitin 2024, detyrimet e papaguara arrijnë në 536 milionë lekë. Kjo shumë përfshin nëntë vendime gjyqësore për dëmshpërblim nga prishja e objekteve në vlerën 530,828,294 lekë dhe dy vendime për dëmshpërblim të shpenzimeve të telefonisë celulare në shumën 6,013,005 lekë. Sipas auditimit, niveli më i lartë i detyrimeve është regjistruar në vitin 2022.
Edhe pse gjatë vitit 2024 detyrimet e prapambetura janë ulur me 14,693 mijë lekë krahasuar me një vit më parë, raporti evidenton se gjatë të njëjtit vit janë krijuar detyrime të reja në shumën 24,639 mijë lekë. Në raport me shpenzimet totale të institucionit për vitin 2024, të cilat kanë qenë 722 milionë lekë, detyrimet e palikuiduara prej 536 milionë lekësh përbëjnë rreth 74.2% të tyre, sipas aktrakordimeve me Degën e Thesarit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se pagesat e kryera për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe për detyrimet përmbarimore tregojnë një menaxhim joefektiv të fondeve buxhetore. Nga verifikimi i urdhërshpenzimeve rezulton se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është kryer me vonesa nga data e vendimit deri në momentin e urdhërpagesave, ndërsa në disa raste nuk janë bashkëngjitur faturat e përmbaruesve.
Këto praktika, sipas raportit, bien ndesh me disa akte ligjore dhe nënligjore që rregullojnë menaxhimin financiar të institucioneve publike, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Financave për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit, ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe udhëzimet për raportimin e pasqyrave financiare të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Për të shmangur kostot shtesë për buxhetin, auditimi rekomandon që Drejtoria Juridike e institucionit të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e proceseve gjyqësore dhe të sigurojë njoftimin në kohë të sektorit të financës për vendimet e formës së prerë, me qëllim planifikimin e fondeve dhe evitimin e penaliteteve nga vonesat.
Njëkohësisht, Drejtoria e Financës rekomandohet të hartojë një plan shlyerjeje për detyrimet e prapambetura, në mënyrë që të përmirësohet menaxhimi i fondeve publike dhe të reduktohet pesha financiare që këto detyrime krijojnë mbi buxhetin e institucionit./ekofin.al/




