Integrimi europian në udhëkryq
Nga Erisa Xhixho
Procesi i integrimit europian të Shqipërisë ndodhet sot në një nga momentet më të vështira.
Europa nuk është thjesht një treg i përbashkët apo një hapësirë ekonomike; është mbi të gjitha një rend vlerash që nis nga shteti i së drejtës, barazia para ligjit dhe institucionet demokratike të pavarura.
Votimi në Parlament për çështjen e imunitetit të Belinda Balluku ishte një test që nuk u kalua nga Shqipëria. Kur Parlamenti vendos të mbrojë pushtetin, të pengojë drejtësinë dhe të kthehet në një quasi Gjykatë, praktikisht ka penguar jo thjesht hetimin e një zyrtari të lartë, por ka penguar avancimin e procesit të integrimit të vendit. Dhe ky është dëmi më i madh që mund t’u bësh qytetarëve të vendit dhe aspiratës së tyre.
Paralelisht me këtë moment pamë se si kryeministri Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandar Vučić, botuan së bashku një qasje për një integrim të përshpejtuar ekonomik në tregun europian dhe në Zonën Schengen pa përmbushur plotësisht standardet dhe përgjegjësitë që kërkon anëtarësimi. Atëherë, pyetja është: interesat e kujt mbrojnë këta dy autokratë?
Historia e zgjerimit të Bashkimit Europian ka treguar se vendet që përparuan drejt anëtarësimit e bënë këtë vetëm përmes reformave të thella institucionale, ndërtimit të një drejtësie të pavarur dhe garantimit të demokracisë funksionale.
Pa këto elemente, çdo përpjekje për integrim të përshpejtuar ekonomik rrezikon të krijojë një status periferik për vendet e rajonit dhe të largojë Shqipërinë nga objektivi i saj për t’u bërë një anëtare e barabartë e Bashkimit Europian.
Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë vetëm një treg më të madh ekonomik apo më shumë fonde nga BE. Ata kërkojnë drejtësi, meritokraci, barazi dhe institucione që funksionojnë.
Prandaj integrimi europian nuk mund të jetë një kompromis i pjesshëm. Shqipëria nuk duhet të pranojë një Europë me dy shpejtësi, ku vendi ynë mbetet në periferi apo dytësor.
Këto ngjarje të rënda antishqiptare tregojnë të vërtetën e madhe që integrimi tashmë është i marrë peng nga një kryeministër dhe qeveri që nuk e ka aspak prioritet këtë interes kombëtar, por vetëm interesat e ngushta personale.




