Prishja e Portit dy mijë vjeçar të Durrësit për t’i hapur rrugë ndërtimit të një marine turistike dhe rezidencave të banimit, pavarësisht kontestimeve që pati edhe në Gjykatën Kushtetuese, tashmë është bërë një fakt i kryer! Në episodet më parë treguam me dokumenta se si ky projekt ka arritur të investojë vetëm 10 milion euro nga kapitali i kompanisë së z. Mohamed Alabar kur u fol për miliarda euro investime.
Transferimi i portit tregtar në zonën e Porto Romanos u premtua se do të fillonte si projekt paralelisht me nisjen e punimeve për Durrës Yacht Marina! Por sot, 3 vjet më pas, fati i tenderit për ndërtimin e tij nuk dihet!
Porti tregtar që do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos ngre pikëpyetje të shumta nëse do të ketë të njëjtat standarde me atë që do të prishet. Sipas projektit teknik të hartuar nga kompania hollandeze Royal Haskoning, porti i ri përfshin një zonë përpunimi me hapësirë 38 hektarë, që është sa gjysma e Portit aktual të Durrësit. Pozicioni ku është projektuar porti i ri ndodhet në zonë izmike dhe kënetore, ndërsa konjektiviteti i tij me infrastrukturën rrugore dhe logjistike është i dobët.
Diskutime mes ekspertëve ka dhe për mënyrën se si do të operojë ky port, sa do të jetë kosto e mirëmbajtjes së tij krahasuar me portin e vjetër, duke qenë se mund të ketë nevojë të vazhdueshme për thellim pasi nuk është një port natyral. Por tashmë që projekti është bërë fakt i kryer, le të shohim se çfarë po ndodhi me procedurën për kontraktimin e kompanisë që do të ndërtojë portin e ri.
Fillimisht qeveria tha se projekti do të ndërtohej me koncesion, me financim pjesërisht nga Autoriteti Portual Durrës dhe kompani prestigjoze ndërkombëtare, ku kishin shprehur interes plot 40 të tilla! Madje disa media raportuan me burime nga qeveria se interesi për të investuar në portin e ri ishte nga vetë NATO. Por si NATO, dhe kompanitë ndërkombëtare që do të financonin ndërtimin me koncesion të tij nuk u dukën ndonjëherë, ndaj shteti u detyrua që të investonte para nga buxheti për hapjen e tenderit.
Përmes një akti normativ, në shkurt të vitit 2024, qeveria transferoi fonde në programin për ndërtimin e porteve, ndërsa në total financimi për Porto Romanon kap vlerën 472 milion euro duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe supervizimin.
Në datën 24 korrik 2024, Autoriteti Portual Durrës shpalli tenderin për procedurën “ndërtimi i Portit të Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano – Faza I”, me fond limit 391 milion euro, afat punimesh 40 muaj, ndërsa ofertat duhet të paraqiteshin brenda datës 16 shtator 2024. Procedura ishte e llojit “e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar”. Kjo lloj procedure zhvillohet në dy faza: parakualifikuese, ku kompanitë shprehin interes, ndërsa në të dytën vetëm ato që përzgjidhen japin ofertën financiare.
Tenderi i parë u anullua me arsyetimin se nuk u paraqit “asnjë kërkesë përkatëse në procedurat me faza” dhe gara u rihap sërish në muajin dhjetor 2024.
Sipas arsyeve që dha autoriteti kontraktor për operatorët privatë, vetëm një prej kompanive pjesëmarrëse (hollandezët e Van Oord) përmbushnin kushtin e pagesës së garancisë bankare dhe në procedurat me dy faza, gara nuk mund të vazhdonte me vetëm 1 operator. Por pak më vonë do të shohim se si ky standard u shkel!
Gara rihapet dhe njëherë në 24 dhjetor të vitit 2024 dhe në procedurë shprehën interes 5 kompani ndërkombëtare: Archirodon e regjistruar në Qipro, Van Oord me bazë në Holandë në bashkëpunim me Marine Construction, një tjetër holandeze Boskalis dhe Ëebuild italiane, Jan de Nul belge në bashkëpunim me francezët e Vinci dhe kompania kineze China Communications Construction Company. China Communications Construction Company, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e ndërtimit të porteve dhe marinave me të ardhura vjetore afro 110 miliard euro në vit, skualifikohet.
Në këtë rast nuk paragjykojmë, pasi komisioni mund të ketë zbatuar politikën për të mos lidhur interesanë nyje kyçe transporti që konsiderohen strategjike me kompani me bazë në Kinë. Por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave skualifikoi edhe bashkimin e operatorëve belgo-francez, Jan de Nul dhe Vinci. E para, një firmë me të ardhura mbi 4 miliard euro në vit dhe lider në fushën e thellimeve ujore, ndërsa Vinci është një nga grupet më të njohura në fushën e ndërtimit me rreth 70 miliard euro të ardhura në vit. Nga gara u skualifikuan dhe kompania italiale Ëe Build me të ardhura vjetore 12 miliard euro dhe një ndër më të mëdhatë në Holandë, Boskalis.
Në fazën e dytë komisioni arriti në konkluzionin se duhet të kualifikoheshin për të dhënë ofertë financiare vetëm dy operatorë: holandezët e Van Oord Dredging dhe Marine Construction, ku hollandezja ka të ardhura vjetore në vlerë afro 2.5 miliard euro dhe Construction (Overseas) Company Limited, pjesë e grupit Archirodon me të ardhura totale të grupit Archirodon, jo të degës së saj, në vlerë rreth 1.5 miliard euro në vit. Vetë grupi i vlerësimit që përcaktoi ecurinë e tenderit është i përfshirë në disa shkelje ligjore.
Pikësëpari, për të hequr përgjegjësinë institucionale në përcaktimin e fituesit të këtenderit. Në grupin e vlerësimit të ofertave të përbërë nga 5 persona, 3 rezultojnë të jenë punonjës të kompanisë private Royal Haskoning që ka bërë projektin teknik të portit dhe dy të tjerë punonjës të Autoritetit Portual Durrës, që është autoriteti kontraktor në këtë garë.
Në datë 17 korrik 2024 Autoriteti Portual Durrës lidhi kontratë të drejtpërdrejtë, pa tender, me Royal Haskoning, duke marrë miratim për këtë proces nga Këshilli i Ministrave. Ligji për Prokurimin Publik përcakton se që një kompani të merret për konsulencë teknike në një procedurë konkurrence, duhet që minimalisht të ketë “eksperience të mëparshme në ofrimin e shërbimit të prokurimit jo më pak se 3 vjet, të ketë staf në këtë fushë me përvojë jo më pak se 5 vjet dhe staf të specializuar në fushën e prokurimit për të cilën zhvillohet procedura.
Kompania Royal Haskoning është një firmë për projekte dhe konsulencë dhe nuk ka asnjë përvojë në fushën e prokurimeve. Por jo vetëm kaq, firma është në konflikt interesi pasi është kompania që ka bërë projektin e portit! Në vendimin e Këshillit të Ministrave 914 datë 29.12.2014, përcaktohet se autoriteti kontraktor duhet të shmangë kushtet e konfliktit të interesit për “konfliktin ndërmjet veprimtarive të konsulencës dhe prokurimit të mallrave, punëve ose shërbimeve.” Në këtë rast, operatori ekonomik i kontraktuar nga autoriteti kontraktor për mallra, punë ose shërbime për një projekt dhe secili prej anëtarëve vetë të tij duhet të skualifikohet nga ofrimi i shërbimeve të konsulencës që lidhen me këto mallra, punë ose shërbime.
Pra, konsulentë dhe shtet i shqiptar skualifikuan kompanitë më të mëdha në botë, po çfarë ndodhi më pas? Konsorciumi belgo-francez, Jan de Nul dhe Vinci depozituan ankesë kundër vendimit të skualifikimit, duke pretenduar se arsyet për mos gjetjen e dokumentacionit për punimet e ngjashme të kryera në projektin “NRL – Echangeur & Digues; La Nouvelle Route du Littoral – La Réunion” nuk ishin të sakta. Kryerja e punimeve në këto vepra është bërë nga kompania Vinci, që ishte firma udhëheqëse në këtë konsorcium, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk kishte gjetur dokumenta se si përcaktohej pjesëmarrja në projekt e dy kompanive që i kishin kryer ato, Vinci dhe Bouygues.
Autoriteti Portual Durrës nuk pranon të jetë palë në shqyrtimin e kësaj ankese pranë Komisionit të Prokurimit Publik, pasi pretendon se kompania duhet të paguajë tarifën përkatëse për shqyrtimin e saj, sa 0.5% të fondit limit. Pra të paguajë 2 milion euro që ankesa të merret në shqyrtim! Në fund KKP vendos të mos e shqyrtojë ankesën.
Tashmë në garë për të dhënë ofertën ekonomike mbeten vetëm hollandezët e Van Oord dhe kompania Archirodon. Por edhe Van Oord skualifikohet! Arsyeja? Licensa teknike të një kompanie me bazë në Hollandë duhet të akreditohen dhe njihen nga institucionet shqiptare! Pra, jemi ne që çertifikojmë BE-në!
Tashmë në garë për të dhënë ofertë ekonomike mbetet vetëm një operator: Archirodon. Sa i takon ofertës financiare, kompania nuk kishte asnjë konkurrent! Archirodon është një firmë me bazë në Qipro, filial i kompanisë greke Archirodon. Dega është krijuar në vitin 2017 dhe është e paqartë se çfarë dokumentash ka dorëzuar firma për punime të ngjashme, të sajat apo të mëmës? Sepse nëse janë të kompanisë mëmë, ligji nuk e lejon!
Kompania është raportuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si një firmë greke me seli në Hollandë, çka rrit më shumë paqartësitë… Në internet rezulton se shumica e aksioneve të Archirodon Qipro është në pronësi të një fondi arab, çka ngre shqetësime për sigurinë kombëtare të vendit, duke qenë se flitet për ndërtimin e portit tregtar më të madh në vend. Shqetësime që i ngriti në intervistën e fundit edhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj.
Jo vetëm z. Ahmetaj, por dhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë i dërgon një letër kryeministrit që kërkon anulimin e procedurës, ndërsa SPAK sekuestroi materialet e procedurës.
Duket se fituesi ishte paracaktuar dhe nga kjo deklaratë që bëri kryeministri Edi Rama, datën 9 mars që pritej të shpallej fituesi. Porti renditë nesërmen u anullua, dhe pyesiç thakryeministri ata që kërkonin frenimin e projektit nuk do ia dilnin! Arsyeja? Kompania e vetme e mbetur në garë nuk dha ofertën financiare. Mos kjo është një arsye që të rritet vlera e kostos së projektit? Arsyet e vërteta ende nuk dihet, por do të mësohen pasi tenderi zhvillohet sërish dhe të mësojmë emrin e fituesit! /Piranjat/




