Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca e Ramës/ AGSH: Precedent i rrezikshëm për median

Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca e Ramës/ AGSH: Precedent i rrezikshëm për median

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas konferencës për shtyp të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama, duke dënuar sjelljet dhe deklaratat që, sipas saj, cënojnë standardet e komunikimit institucional me median dhe respektin ndaj punës së gazetarëve.

Reagimi vjen pas përjashtimit nga konferenca të gazetarëve Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj, një veprim që organizata e konsideron precedent të rrezikshëm për kufizimin e aksesit të medias në informacion publik.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me shqetësim të thellë konferencën për shtyp të mbajtur nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë së cilës u shfaqën sjellje dhe deklarata që cenojnë standardet bazë të komunikimit institucional me median dhe respektin ndaj punës së gazetarëve.
AGSH dënon përjashtimin përgjithmonë të gazetares Ambrozia Meta nga konferenca për shtyp, një veprim që përbën një precedent të rrezikshëm për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion publik dhe përjashtimin selektiv të mediave nga aktivitetet institucionale.

Po ashtu, AGSH konsideron të papranueshëm sulmin verbal dhe përjashtimin nga konferenca të gazetarit Isa Myzyraj, një veprim që bie ndesh me parimet e respektit institucional dhe me standardet demokratike të komunikimit me median.

Në të njëjtën linjë, përdorimi nga Kryeministri i termave denigruese si “tenxhere” apo akuzat publike se disa “media pastrojnë para” janë deklarata problematike kur vijnë nga një zyrtar i nivelit më të lartë ekzekutiv në vend. Të tilla etiketime jo vetëm që dëmtojnë klimën e dialogut mes institucioneve dhe medias, por krijojnë edhe një atmosferë presioni dhe delegjitimimi ndaj mediave kritike.

Në një shtet demokratik, çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë, në bazë të ligjit dhe procedurave të rregullta. Politikanët, përfshirë Kryeministrin, nuk mund dhe nuk duhet të përdorin konferencat për shtyp për të lëshuar akuza të përgjithshme apo për të nxitur institucione të drejtësisë kundër mediave.

AGSH rikujton se liria e medias dhe e shprehjes janë gurë themeli të demokracisë, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qeveria dhe të gjithë zyrtarët publikë kanë detyrimin të respektojnë rolin kritik të medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit dhe çdo zyrtari publik që të tregojnë përgjegjësi institucionale në komunikimin me median, të shmangin gjuhën denigruese dhe të garantojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët në aktivitetet publike.

Share it :