Vendimi Kushtetueses, familja Cani: Martini nuk u vr* nga “TikTok”-u! Qeveria në vend që të mbante përgjegjësi, e përdori për censurë

Vendimi Kushtetueses, familja Cani: Martini nuk u vr* nga “TikTok”-u! Qeveria në vend që të mbante përgjegjësi, e përdori për censurë

Familja e Martin Canit ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka cilësuar antikushtetues vendimin për bllokimin e rrjetit social “TikTok” nga qeveria, si masë që vinte si rezultat i ngjarjes së rëndë, ku i biri i tyre u vra si shkak i dhunës së nxitur në rrjetet sociale.
Deklarata per shtyp

Familja e Martin Canit mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli sot antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok, duke konfirmuar zyrtarisht atë që ne kemi bërtitur me dhimbje që nga dita e parë: Martini nuk u vra nga TikTok!

Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.

Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:

Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.

Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.

Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.

Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.

Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte.

Ne nuk do të heshtim!

Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja.

Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!

Familja Cani

Share it :