SPAK, vetëm 16 rreshta raportim për dështimin e Task-Forcës së zgjedhjeve
Nga Elton Qyno
Një raport vjetor (2025) prej 127 faqe i përpiluar nga zyrtarët e Prokurorisë së Posaçme SPAK, i ka kushtuar vetëm 16 rreshta situatës zgjedhore në vend dhe më konkretisht veprimtarisë së njësisë hetimore Task-Forcë të ngritur gjatë vitit 2025 brenda strukturës së SPAK.
Një raportim i thatë që realisht fsheh situatën e masakrës zgjedhore të Majit 2025 dhe pamundësinë e prokurorisë së posaçme për ti dhënë një shpjegim dështimit të saj në parandalimin e vjedhjes dhe blerjes së votave.
Kuptohet qartë se më shumë vëmendje i kushtohet në këtë raport vjetor veprimtarisë së koordinatorit të Medias dhe numrit të intervistave në vit që kanë dhënë prokurorët e SPAK, se sa një elementi domethënës dhe shumë të rëndësishëm, siç ishte dështimi olimpik i Task-Forcës së ngritur me shumë bujë nga SPAK.
Në total në këtë raport vjetor janë vetëm 16 rreshta, që japin një tablo të thatë të situatës së ngritjes së njësisë Task-Forcë për mbrojtjen e vjedhjes apo blerjes së votave në zgjedhjet parlamentare 2025.
Në këtë raport SPAK mjaftohet vetëm me faktin se ka ndërmarrë masa të strukturuara organizative dhe koordinuese për zbatimin të Rekomandimit Nr.3 dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“…me Urdhrin e Drejtuesit nr. 43645, të datës 22 dhjetor 2025, është caktuar një prokuror i posaçëm si pikë kontakti për koordinimin dhe komunikimin institucional në realizimin e analizës së përbashkët mbi zbatimin e Strategjisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore për zgjedhjet 2025…”, thuhet në këtë raport vjetor.
Dhe menjëherë pas këtij paragrafi qartësohet se është bërë një analizë e brendshme nga ana e SPAK, duke dalë në konkluzionin që të vijojë bashkëpunimi i vazhdueshëm me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Përfundimi i kësaj analize është vijimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për zgjedhjet e tjera parlamentare dhe lokale, por nuk jep një situatë se cilat ishin problematikat dhe shkaktarët që sollën dështimin e proceseve penale për parandalimin e vjedhjes apo blerjes së votave.
Raporti nuk jep asnjë përgjigje se cilat ishin arsyet pse Task-Forca e SPAK-ut, nuk ishte në gjendje të hetonte keqpërdorimin e gjerë të burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe përfshirjen e fortë të Krimit të Organizuar në zgjedhje.
“…është përfunduar analiza e brendshme paraprake e krimit zgjedhor për vitin 2025 ana e SPAK dhe është vendosur një mekanizëm bashkërendimi i drejtpërdrejtë e i vazhdueshëm me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të garantuar qasje të unifikuar institucionale, reagim efektiv dhe standard të lartë ligjshmërie në mbrojtje të integritetit të proceseve zgjedhore dhe sundimit të ligjit…”.
Kujtojmë se njësia Task-Forcë, u trumbetua nga SPAK si hallka kyçe që do mbronte blerjen e votave nga subjektet politike gjatë fushatës elektorale të muajve Shkurt-Maj 2025, por që realisht nuk solli produktivitet domethënës në këtë drejtim.
Gjatë kësaj kohe ish-kreu i SPAK, kreu disa vizita kortezia në disa prokurori të rretheve si Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Fier, ku i këshillonte drejtuesit dhe prokurorët e këtyre institucioneve se si të bashkëpunonin me SPAK në luftën kundër blerjes së votave.
Njëherësh memorandum bashkëpunimi u firmosën me KQZ, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, për të mbrojtur të paprekur dhe të pa deformuar vullnetin e lirë të popullit për të votuar.
Mirëpo vullneti i popullit shqiptar, jo vetëm që u deformua nga keqpërdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe Krimi i Organizuar, por çuditërisht Task-Forca për mbrojtjen e votës, nuk arriti të kryejë thuajse asnjë mision serioz parandalues, pasi rezultati u duk në kutitë e votimit, ku Partia Socialiste në Pushtet arriti të marrë 83 mandate parlamentare.
Sipas statistikave të përgjithshme për vitin 2025 janë hetuar gjithsej 70 procedime penale, me 27 persona nën hetim.
Për zgjedhjet e vitit 2025, janë regjistruar konkretisht 46 procedime penale me 9 persona nën hetim që lidhen me zgjedhjet e vitit 2025 dhe 24 procedime penale me 18 persona nën hetim lidhen me zgjedhjet e viteve të mëparshme.
Sipas SPAK, hetimi i këtyre rasteve është trajtuar me përparësi, me synimin për hetim të shpejtë dhe efikas, në funksion të garantimit të integritetit të proceseve zgjedhore. /Syri.net






