‘SHBA presion Ramës’, Kalaja: Kryeministri të tërhiqet nga Porti i Durrësit, 80 milionë euro të papaguara
Avokatja Adriana Kalaja ka ngritur alarmin për projektin e Portit të Durrësit, duke theksuar se reagimi i fundit i SHBA nuk është thjesht një këshillë, por një “urdhër” i qartë për të ndaluar vazhdimin e projektit në formën aktuale.
Në studion e ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV Kalaja shprehet se, një nga firmat që duhej të investonte 80 milionë euro ende nuk i ka dhënë ato, ndërsa kapitali themeltar i kompanisë rezulton të jetë vetëm 100,000 lekë të vjetra. Kalaja paralajmëroi gjithashtu se projekti ka kaluar nga kompania prestigjioze Emaar te Simphony dhe më pas te North, ndërkohë që janë falur 816,000 metra katrorë truall, duke e kthyer situatën në një problem serioz gjeopolitik dhe financiar.
Kalaja u shpreh se punimet për projektet, si në Portin e Durrësit ashtu edhe në Porto Romano, janë pezulluar de facto prej mbi tre muajsh, ndërsa përdorimi i fjalës “must” (duhet) nga pala amerikane tregon se situata është aq alarmante sa SHBA kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ajo theksoi se këto zhvillime rrezikojnë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe interesat strategjike të Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.
Pjesë nga deklarata:
Ai nuk është reagim amerikan. Kur Amerika përdor fjalën “must”, tregon urdhërim. Pra, ai thotë “nuk duhet”. Nuk ishte shumë diplomatik, as nuk thoshte “ne mendojmë”, por thoshte “nuk duhet… mos vazhdoni”. Pra, kjo është një alarm, siç e tha dhe Igli.
E dyta, unë nuk mendoj se është reagimi i parë nga Amerika, por është reagimi i parë i bërë publik. Pra, situata është aq alarmante sa ky reagim është bërë publik.
Në dijeninë time, prej të paktën një viti ka reagime nga NATO dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me këto dy projekte. Po i marrim të veçanta, sepse siç e tha dhe Igli, një port që konsiderohet jo vetëm port i Shqipërisë, por edhe port i NATO-s, nuk mund t’ua japësh firmave fantazmë, të cilat janë firma offshore. Unë jua çova edhe provat: kjo firmë që do të paguante 80 milionë euro, që s’i ka dhënë akoma, ka kapital themeltar 100,000 lekë të vjetra.
Pra, ne jemi në një pikë jo vetëm alarmante, por në prag të një tragjedie në raport jo vetëm me buxhetin e shtetit, por edhe me marrëdhëniet gjeopolitike që ka Shqipëria. Sepse tani del Top Channel-i apo të gjitha këto mediat e inceneratorëve dhe na tregojnë këto përrallat e radhës.
Unë di edhe një lajm që po e jap ekskluziv. Ka kohë që, mbi tre muaj, de facto janë pezulluar punimet, sepse janë ngritur grupet e ekspertëve. Vijimi apo pezullimi i punimeve nuk ka më rëndësi. Në të dy projektet nuk po bëhet më asgjë.
Igli e citoi: përveç se kanë filluar shitja e apartamenteve pa dalë leja e ndërtimit, ne po marrim të paktën atë që është shkruar në kontratë, sepse kemi disa ndryshime kontratash. Prandaj unë vazhdoj t’i qëndroj faktit që nuk kemi të bëjmë vetëm me një vepër korruptive, por kemi të bëjmë me një vepër anti-shqiptare.
Çfarë ishte marrëveshja e parë? Marrëveshja e parë, 145 e vitit 2020, ishte zhvillimi i portit të Durrësit. Nuk thoshte marrëveshja prishja e portit të Durrësit. Kjo marrëveshje ka kaluar në parlament. Kishte edhe tre qytete të tjera: ishte, më duket, Përmeti, Vlora dhe një tjetër. Por të qëndrojmë këtu. Ndërtimi do të bëhej nga kompania Emaar, pra një kompani shtetërore prestigjioze për hir të së vërtetës.
Kalojmë nga kompania Emaar vetëm me veton e Edi Ramës te kompania Simphony. Kompania Simphony ia shet kompanisë North dhe sot jemi në pikën që jo vetëm këta nuk kanë investuar 80 milionë euro, sipas kushteve të kontratës – që janë kontrata mbi kontrata duke anuluar secila njëra-tjetrën por mbi të gjitha unë bëj një pyetje: pak biznesmenë shqiptarë ka që mund të ofroheshin për të paguar? Me 80 milionë euro kush nuk ndërton 12,000 apartamente në portin e Durrësit?
Ka edhe një gjë tjetër që, ngaqë ka shumë problematikë kjo çështje, a e dini që i është falur 816,000 metër katror truall? Pra, e kemi diskutuar disa herë me dy VKM që janë antikushtetuese, por mbi të gjitha anti-shqiptare. Ndërkohë pjesa e kompanisë së huaj nuk përmbush detyrimin as për 80 milionë euro.
Tani po marrim këtë që na e shet Top Channel-i, siç na e shiste edhe inceneratorin. Mbani mend si dilnin ekspertët dhe tregonin ato fushat me bar. Ky lajm është në të njëjtin nivel.
Së pari, për të justifikuar që këto projekte nuk mund të ecin më në këtë formë. Pra, duhet një rishikim nga e para për të dy këto projekte. Së dyti, për të justifikuar presionin e madh që po i bëhet kryeministrit, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga Bashkimi Europian. Dhe së fundi, për të penguar sa më pak reagimin popullor.
Ne, me një logjikë shumë minimaliste, mund t’i bëjmë pyetje vetes dhe publikut: pse mos të ndodhte e kundërta? Pse mos të ndërtohej porti i jahteve në Porto Romano? Ishin kushtet. Aty ku mund të vazhdonte edhe pjesa e këtij porti privat, pa u prekur asgjë në pjesën gjeostrategjike të Shqipërisë. Dhe nga ana tjetër, këto miliarda euro pse mos të përdoreshin si investim?
Nuk mendoj se e kemi humbur portin e Durrësit, sepse gjërat mund të rekuperohen. Jemi në kushte alarmi, prandaj edhe reagimin e Amerikës e shoh si urdhër. Amerika ka dhënë urdhër dhe jam shumë e bindur që kryeministri do të tërhiqet nga ky projekt ogurzi.
Në funksion të kësaj tërheqjeje janë edhe këto shashkat se po pezullojmë punimet sepse mund të na vijnë raketat. Raketat mund të vijnë edhe kur je i pezulluar, edhe tani.
Plus që ekspertët e asaj fushe e kanë treguar qartësisht se nuk ka asnjë mundësi objektive që kjo të ndodhë. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund të goditet me raketa vetëm porti i ri në Porto Romano apo porti i Durrësit.






