Porti i ri i Durrësit, Nesho: Amerikanët po paralajmërojnë Ramën, rrezikohet roli strategjik i Shqipërisë

Porti i ri i Durrësit, Nesho: Amerikanët po paralajmërojnë Ramën, rrezikohet roli strategjik i Shqipërisë

Ish-ambasadori Agim Nesho ka deklaruar se projekti për Portin e ri të Durrësit, mund të dëmtojë rolin strategjik të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se sinjalet që vijnë nga amerikanë janë një paralajmërim për qeverinë shqiptare.

I ftuar në Syri TV, Nesho u shpreh se SHBA prej kohësh kanë qenë kritike ndaj vendeve që trajtojnë asetet strategjike në funksion të interesave të pushtetit apo duke bashkëpunuar me aktorë jashtë sferës së influencës perëndimore.

Ai thekson se, në kushtet e zhvillimeve aktuale gjeopolitike dhe duke qenë vend anëtar i NATO, Shqipëria duhet të ruajë një rol të qartë në projektet strategjike të rajonit, veçanërisht në lidhje me Korridorin VIII, që lidh Lindjen me Perëndimin.

Sipas tij, porti historik i Durrës, me një histori mbi 2000-vjeçare dhe një nga portet më të rëndësishme në Adriatik, rrezikon të humbasë rëndësinë strategjike.

“Duhet të themi që në fillim të herës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një periudhë të gjatë, kanë qenë kritike jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera, që asetet strategjike të tyre i kanë parë në mënyrë të lehtë ose në funksion të interesave të pushtetit, duke bashkëpunuar me elementë të cilët janë jashtë sferave të influencës perëndimore.

Dhe ne këtë e kemi parë në Shqipëri në një shkallë shumë më të lartë, duke i dhënë prioritet jo vetëm vendeve të cilat në mënyrë konjukturale dhe pragmatiste, për një farë periudhe, kanë qenë të influencuara te ne, por edhe vendeve të tjera ku merren parasysh interesat e vendeve të Gjirit për t’u shtrirë në të gjithë Mesdheun si një strategji e tyre për vitet e ardhshme.

Prandaj kjo është pjesë e një diskutimi më të gjerë, por në kushtet gjeopolitike të sotme, siç e thatë edhe ju, bëhet prioritet për atë pozicion që Shqipëria duhet të marrë dhe them duhet të marrë sepse është vend anëtar i NATO-s – dhe nga një anë tjetër, për atë ide dhe projeksion që ka Perëndimi ndaj Shqipërisë, sidomos për kanalet dhe traversat e komunikimit, siç është Korridori numër tetë, domethënë Lindje–Perëndim.

Në këtë kuptim, kemi pasur parasysh që ideja e zotit Rama për një port të ri në Porto Romano është në funksion të dëshirës së tij për të pasuruar sheikët arabë dhe për ta kthyer në një vend atraksioni portin shekullor, mbi 2000-vjeçar, të Durrësit, i cili kishte edhe një pozicion strategjik. Ishte një nga portet më të mëdha në Adriatik.

Nevoja për të thënë që “unë do të ndërtoj diçka tjetër më të madhe, më të mirë”, për të justifikuar investimet e tij me sheikët arabë në dëm të pasurisë së popullit dhe shumë gjëra të tjera, lindi idenë e marrjes së një vendimi për Porto Romanon.

Në këtë kuptim, zoti Rama bëri disa përpjekje të dëshpëruara për të bërë kompliçe, domethënë për ta bërë edhe vetë NATO-n dhe sekretarin e përgjithshëm të saj pjesë të një vendimmarrjeje sikur ishte diskutuar më përpara, por në fakt kjo nuk ekzistonte në ato plane afatgjata që një organizatë serioze si NATO vepron në marrjen e vendimmarrjeve të saj.

Pra, zoti Rama pa rrugën më të lehtë. U fut në një investim për një port tepër të vogël, kur dihet që edhe karakteristikat e këtij porti e relativizojnë rolin e Shqipërisë, sidomos në Korridorin Tetë, dhe si të tillë për ta ndërtuar këtë për dy arsye.

Së pari, dihet që portet e tilla, veprat e tilla të infrastrukturës, në radhë të parë janë politike, por në radhë të dytë kanë edhe përfitime të jashtëzakonshme nga volumi i punimeve në aspektin financiar. Dhe regjimet e korruptuara, siç është regjimi i zotit Rama, sidomos përqendrohen te kjo e fundit më tepër sesa te nevoja që Shqipëria të ketë një rol të përcaktuar gjeopolitikisht në rajonin tonë.

Pra, dihen tani faktet se si janë bërë investimet, se si kompania kryesore është një kompani offshore, me lidhje ndoshta të dyshimta, nga informacionet e dhëna nga shtypi, edhe me investitorë të mundshëm rusë, gjë që e kompromenton shumë më tepër këtë iniciativë për të ndërtuar një port me shpejtësi në Porto Romano, duke thyer të gjitha rregullat: si rregullat e angazhimit dhe detyrimeve të Shqipërisë në mënyrë gjeopolitike si një vend anëtar i NATO-s, por nga ana tjetër edhe duke kompromentuar, duke futur influenca të huaja në portin tonë.

Pra, mesazhi që ka ardhur nga dhoma e tregtisë dhe këtu bëjmë një parantezë, zoti Paruca është se dhomat e tregtisë, që në kohën e Hillary Clintonit, kanë qenë një nga platformat e saj që shërbejnë si pararendëse të të gjitha dëshirave ose projekteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u realizuar si ura komunikimi me botën dhe me vende të tjera”,- është shprehur Nesho.

Share it :