Berisha: Sot arsimi është në krizë të jashtëzakonshme, akademia tregohet mes Tom Doshit dhe Gjinushit

Berisha: Sot arsimi është në krizë të jashtëzakonshme, akademia tregohet mes Tom Doshit dhe Gjinushit

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit me arsimtarët u shpreh se, arsimi shqiptar po përballet me një krizë të jashtëzakonshme dhe nevojitet ndërhyrje urgjente për të shpëtuar të ardhmen e sistemit arsimor dhe rolin e mësuesit si misionar të kombit.

Ai vuri theksin te problematikat kryesore të arsimit parauniversitar, profesional dhe universitar, duke denoncuar bllokimin e doktoraturave, rënien dramatike të rezultateve në PISA dhe keqmenaxhimin e akademisë.

Berisha nënvizoi prioritetet e Partisë Demokratike për arsimin, duke rikujtuar investimet e kryera në mësues, pedagogë dhe pajisje teknologjike, si dhe nevojën për të rikthyer universitetet si qendra intelektuale të kombit.

Berisha: Së pari dëshiroj që nga ky takim t’u përcjellim urimet më të përzemërta të gjithë mësueseve dhe mësuesve, pedagogeve dhe pedagogëve, të gjithë mësuesve të sistemit parashkollor, në këtë ditë që mbarë kombi nderon mësuesin misionar si një misionar të tij të vërtetë.

Misioni i tyre, misioni juaj është i një rëndësie përcaktuese më shumë se çdo mision tjetër për të ardhmen e një kombi.

Ne vijmë sot në këtë ditë në kushtet e një krize të jashtëzakonshme të sistemit arsimor, të një rrokullisje të këtij sistemi shumë më të madhe se ajo që shohim në rrugë dhe urat e ndërtuara nga kjo qeveri.

Ju bëtë diskutime shumë të përgjegjshme dhe u falenderoj shumë për ekspozetë që bëtë, por në rast se përpiqemi të kuptojmë shkaqet e kësaj gjendje katastrofale në arsim ato janë të mirëfillta antikombëtare.

Dhe është naivitet në qoftë se ne nuk i vlerësojmë të tilla.

Nuk mund të ketë akt më antikombëtar se sa të bllokosh me një urdhër doktoraturat në universitete.

Do t’u them këtu, 46 vite më parë, jo doktoraturat e kolegëve të mi, por doktoratura të studentëve të mi, sepse në atë kohë studentët kishin të drejtë ose të jepnin provimin e shtetit, ose të mbronin një tezë, pra tezat e studentëve të mi unë i kam paraqitur në kongreset më prestigjioze ndërkombëtare, sepse ato të atilla ishin.

Dhe kjo jo vetëm unë, por jam i sigurt edhe kolegë të tjerë.

Pra, jo doktoraturat e mjekëve, por të studentëve, me studimet eksperimentale, ato ishin të këtij niveli. Dhe erdhi një frymë e paimagjinueshme.

E thatë bukur ju, shkencofobie, ku akademia tregtohej mes Tom Doshit dhe Skënder Gjinushit.

Skënder Gjinushi i jepte partinë Tom Doshit, Tom Doshi blinte partinë dhe Rama i jepte akademinë.

Ju, këtu përcaktuat me shumë përgjegjësi problematikat më të mëdha të arsimit parauniversitar, të arsimit profesional, të arsimit universitar.

Por përcaktimet tuaja, konstatimet tuaja korrespondojnë plotësisht me të gjithë vëzhgimet ndërkombëtare për arsimin në Shqipëri.

Nuk ka rënie më të madhe ky komb se sa rënia që pësoi në PISA, 69 pozicione.

Kur ndodhi kjo? Sapo nga 9 vite, këtyre u përkisnin 8 vite. Sepse PISA merr 8 vite. Zbritja katastrofale.

Nuk na shërben për gjë e shkuara, por për diçka po. Na shërben si një bazë për të ndërmarrë veprime për të ardhmen. Platformën për të ardhmen.

Një gjë u siguroj, PD e shpalli arsimin përparësi absolute. Dhe ai është dhe duhet të jetë procesi më serioz i një kombi.

E filluam me mësuesin.

E vendosëm në piedestal në kuptimin që mësuesin e ngritëm në shkallaren e rrogave në një të tretën e sipërme nga një e treta e poshtme që ishte.

Ju jeni dëshmitarë për të investimet që u bënë. Në PISA pati ngjitje vertikale.

Po këto ishin vetëm fillime. Por ama, nga 6 mijë pedagogë, kaluam në 11 mijë. Universitetet duhet të ishin streha intelektuale e kombit, e studiuesve, e kërkuesve shkencorë.

Pra, u investua në shumë drejtime.

26 mijë kompjuterë u shpërndanë në të gjitha shkollat. 800 kishte gjithsej dhe e blinin me satelit internetin.

Share it :