Rama mban zvarrë votimin për imunitetin e Ballukut

Rama mban zvarrë votimin për imunitetin e Ballukut

Procedura parlamentare për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku po shkon drejt limiteve kohore, ndërsa mazhoranca socialiste po zvarrit votimin në seancë plenare me pretendimin se nuk kanë ende një qëndrim politik.

Në seancën e së enjtes, opozita kërkoi përfshirjen në rend të ditës të votimit të raportit të anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve dhe akuzoi mazhorancën se po kërkon të dështojë procedurën parlamentare, duke shkelur limitet kohore 3-mujore që parashikohen për këtë procedurë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “kërkesa ka natyrë urgjente ndërkohë që dhe një javë ka mbetur që të konsiderohet e rrëzuar”.

Por, kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha se PS nuk kishte ende gati raportin e saj dhe as një vendim ‘kolegjial’ të grupit të deputetëve, ndërsa premtoi se votimi në seancë do të bëhej pa shkelur limitin kohor të 3 muajve. Ai pretendoi se pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Mandateve palët kanë 2 javë kohë për të hartuar raportin dhe anëtarët socialiste nuk e kanë gati ende raportin e tyre.

“Ky grup parlamentar është serioz, ku nuk merren vendimet nga një person, nga kryetari i grupit, po janë vendime kolegjiale,” tha Balla.

Duke iu referuar afateve kohore, Balla shtoi se votimi do të bëhet në seancën e 12 marsit për të dy raportet.

Anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dorëzuan të hënën raportin e tyre, duke rekomanduar votën pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për një masë arresti ndaj ish-zv.kryeministres Balluku.

Raporti bazohet në provat e sjella nga SPAK në Kuvend, jurispudencën kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias si dhe frymën e luftës antikorrupsion.

Kërkesa e SPAK u depozitua në Kuvend më datë 16 dhjetor 2025, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit u zvarrit fillimisht nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duke mos thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama mori përsipër mbrojtjen politike e ligjore të Ballukut nga një masë sigurie ‘pezullim nga detyra’ dhënë nga Gjykata e Posaçme, e cila u la në fuqi nga Gjykata Kushtetuese.

Në fund të procesit ligjor në Kushtetuese, Rama vendosi të shkarkonte Ballukun nga detyrat ekzekutive, shkarkim që u bë faktik në seancën e së enjtes me votën e 85 deputetëve.

Në seancë u votuan dhe shkarkimet e dy ministrave të tjerë, Elisa Spiropalit dhe Pirro Vengut dhe emërimi i ministrave të rinj në qeveri; Albana Koçiu si zëvendëskryeministre, Besfort Lamallari Ministër i Brendshëm, Toni Gogu Ministër Drejtësie, Ferit Hoxha ministër i Jashtëm, Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes, Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin. /BIRN

Share it :