Këlliçi: Kuvendi është shndërruar në një mburojë i korrupsionit!
Pas një mungese tre mujore për shkak të përjashtimit, deputeti i opozitës, Belind Këlliçi, ka mbajtur një fjalim të ashpër në seancën parlamentare, duke akuzuar drejtuesin e seancës dhe mazhorancën për sjellje “absurde” dhe “të turpshme”.
Në fjalën e tij, deputeti akuzoi drejtuesin e seancës për radikalizim. Ai e lidhi këtë sjellje me nismën e Partisë Socialiste për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit dhe për të përgjysmuar kohën e fjalës së deputetëve.
Belind Këlliçi: Duke qenë se rikthehem pas tre muajsh, mendova se kishe reflektuar edhe i kishe marrë parasysh të gjitha shqetësimet e partnerëve, edhe takimet që ke bërë, se je nga të paktët politikanë që je pritur edhe në Amerikë. Por me sa duket, largimi i ministres së Jashtme, si pjesë e klubit të anglishtfolësve në PS, të ka detyruar të radikalizohesh nga ndonjë merak i brendshëm që mund të kesh.
E nise me zotin Balliu, tre muaj edhe ai i përjashtuar, i hoqe fjalën. E tentove, me zonjën Zhupa, e vazhdove me kreun e grupit parlamentar të PD-së. Nuk e kuptoj këtë qasje tënden. Është absurde. Kjo shkon paralel edhe me nismën e Partisë Socialiste për të ndryshuar sërish në mënyrë të njëanshme rregulloren dhe për të përgjysmuar minutat e deputetëve, nga 10 në 5.
Niko, shkëputu nga, qasja që ka marrë ky Kuvend për t’u bërë mburojë, ta them sinqerisht, për t’u bërë mburojë e korrupsionit. Unë jam përjashtuar me vendimmarrjen tuaj dhe të Komisionit të Etikës drejtuar nga Ulsi Manja, sepse kam kërkuar pikërisht të zbatohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për masën e sigurisë për zëvendëskryeministren dhe të vinte në rend diten, se është çështje prioritare. Këtë e kërkon Brukseli, këtë e kërkojnë shqiptarët, këtë e kërkon integrimi evropian i vendit. Por është absurde që pas tre muajsh të vish në parlament dhe situata të jetë më e agravuar. Është absurde që t’i privosh deputetët e opozitës nga e drejta edhe për replikë, edhe për fjalë, dhe t’u ndërhysh në fjalë madje…
Është e turpshme, kjo mënyrë drejtimi e seancës. Kur nuk keni asnjë fyerje, asnjë etiketim, as nga deputetët e opozitës, dhe për më tepër, çohet kreu i grupit parlamentar të PS-së, fyen kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, fyen deputetët e opozitës, i flet edhe në emër të besimit, dhe ndërkohë i tërhiqet vëmendja kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kjo është, kjo është e paimagjinueshme, sinqerisht.
Lini edhe provokimet, lini edhe këto tentativa për të ndezur konflikt brenda opozitës. Ju garantoj që është mirë për ju të qëndroni në lartësinë e detyrës tuaj.






