Gjin Gjoni: Largimi i Prodës nuk mjafton, policia duhet çliruar nga krimi
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke theksuar se largimi i tij nuk mjafton dhe se e gjithë kupola e Policisë duhet t’i nënshtrohet një procesi dekriminalizimi.
Sipas Gjonit, Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit për interesa të lidhura me krimin e organizuar dhe u përdor politikisht nga kryeministri Edi Rama. Ai pretendon se drejtimi i Policisë gjatë mandatit të Prodës ka shërbyer për të ushtruar presion ndaj opozitës dhe për të menaxhuar protestat qytetare
Deklarata
Proda iku, por kupola e Policisë së Shtetit duhet dekriminalizuar!
Ilir Proda, i cili u emërua Drejtor i Policisë së Shtetit për shërbimet e tij ndaj krimit të organizuar, sot u shkarkua nga tutori i tij Edi Rama, njeriu që e keqpërdori dhunshëm Ilir Prodën kundër qytetarëve shqiptarë.
Me telefonin e tij në SPAK, në kuadër të një hetimi për bashkëpunim me bandat, Ilir Proda ishte në krye të Policisë së Shtetit për t’i shërbyer interesave të krimit dhe për të shuar valën e protestave të opozitës, por edhe të qytetarëve në mbarë Shqipërinë.
Proda u shkarkua që në llogaritë e hapura që ka me SPAK-un të mos shkojnë si Drejtor i Policisë së Shtetit, teksa ai është pasuar nga një prej militantëve më të thekur të Rilindjes në Policinë e Shtetit, Sokol Bizhga, një nga të dalluarit për dhunën ndaj protestuesve të opozitës.
Policia e Shtetit, që prej kohës së kanabizimit të vendit, është marrë peng nga krimi i organizuar i lidhur me Rilindjen, teksa SKY ECC ka faktuar inkriminimin e kupolës së Policisë së Shtetit.
Koha është për një dekriminalizim të kupolës së Policisë së Shtetit dhe që kjo strukturë e rëndësishme ligjzbatuese t’u rikthehet qytetarëve.






