‘Milionat e Lanës i mori lumi’, Xhixho denoncon korrupsionin në trajtimin e ujërave të zeza: Mjedisi nuk është pronë private
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një postim në rrjete sociale shkruan se “Milionat për pastrimin e Lanës nga ujërat e zeza i mori lumi”, duke denoncuar një tjetër skandal korruptiv që përfshin dhjetëra miliona euro të investuara dëm në projektin e trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës.
Sipas Xhixhos, kjo është një provë e qartë e modelit të dështuar të qeverisjes, ku korrupsioni është kthyer në sistem dhe fondet publike përdoren si pronë private e pushtetit.
Dhjetëra miliona euro, premtime madhore dhe projekte të dështuara kanë lënë Lanin si një kanal të hapur ndotjeje në zemër të Tiranës, duke dëmtuar mjedisin dhe ekonominë e qytetit.
Në postimin e saj, Xhixho thekson se tentativat për persekutim politik ndaj ish-drejtuesve të LSI-së nuk fshehin tjetër veçse paaftësinë dhe korrupsionin sistemik të qeverisë, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe reagim të drejtpërdrejtë ndaj keqmenaxhimit të parave publike.
Deklarata e plotë:
Skandali i radhës me miliona euro të zhdukura në emër të “pastrimit” të ujërave të zeza të Tiranës është një tjetër provë e qartë e modelit të dështuar të qeverisjes që ka kthyer korrupsionin në sistem.
Dhjetëra miliona euro investim të çuara dëm, pas premtimeve madhore për trajtimin e ujërave të zeza – dhe sot Lana vazhdon të jetë një kanal i hapur ndotjeje në zemër të Tiranës.
Ky është një krim mjedisor dhe financiar.
Siç shpjegohet në këtë investigim, tashmë janë të faktuara miliona euro investim të çuara dëm dhe miliona të tjera humbje për shtetin shqiptar nga proceset e arbitrazhit lidhur me impiantin e trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës, ujëra po aq të zeza sa qëllimet e këtij sekti që ka marrë peng Shqipërinë si të ishte pronë private.
Tashmë është e provuar katërcipërisht se pas tentativave të dështuara për persekutim politik dhe linçim publik të ish-drejtuesve të LSI-së, që kishin aftësinë profesionale dhe ishin përkushtuar për implementimin e projektit , fshihet paaftësia dhe sistemi korruptiv i kësaj mazhorance me në krye Edi Ramën.
Kjo histori nuk do të mbyllet me heshtje.
Paratë publike nuk janë plaçkë. Mjedisi nuk është pronë private e pushtetit.
Prandaj sot, më 28 shkurt ora 18.00, të gjithë bashkë kundër kësaj bande.
Milionat për pastrimin e Lanës nga ujërat e zeza i mori lumi






