Rivlerësimi i pasurive me kosto shtesë për qytetarët, skema që penalizon rrethet

Rivlerësimi i pasurive me kosto shtesë për qytetarët, skema që penalizon rrethet

Rivlerësimi i pasurive me tatim 5% ka hyrë në fuqi, por qytetarët jashtë Tiranës po përballen me kosto shtesë, pasi mungesa e çmimeve të reja të referencës i detyron t’i drejtohen vlerësuesve privatë. Për rrethet procesi mund të kryhet vetëm në privat, duke shtuar 100–500 euro mbi faturën e rivlerësimit.

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5% hyri në fuqi, por jo sipas kushteve të premtuara. Pas dy muajsh zvarritje, Ministria e Financave publikoi udhëzimin përkatës në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë aplikimeve. Megjithatë, qytetarët jashtë Tiranës po përballen me një barrë shtesë financiare, pasi rivlerësimi i pronave të tyre mund të kryhet vetëm përmes vlerësuesve privatë. Këtë detaj e bëri të ditur ministri i Financave Petrit Malaj.

“Të gjithë ata qytetarë që duan të bëjnë rivlerësimin e pronave jashtë territorit të Tiranës për momentin duhet ta bëjnë me vlerësues privat”, deklaroi Malaj.

Diferenca mes Tiranës dhe rretheve në procesin e rivlerësimit, sipas Malaj, diktohej nga fakti që rrethet nuk kanë ende të miratuara çmimet e reja të referencës.

“Jemi ende në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, për shkak se pas kontrolleve të fundit nga autoritetet tatimore në zyrat imobiliare janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave imobilare”, argumentoi ministri i Financave.

150-500 euro kosto shtesë për rrethet

Procesi është i hapur në Tiranë, ku rivlerësimi mund të kryhet normalisht. Por jashtë kryeqytetit, çmimet e reja të referencës nuk janë vendosur ende. Për këtë arsye, qytetarët që duan të rivlerësojnë pronat e tyre në rrethe janë të detyruar të përdorin vlerësues privatë, të cilët punojnë me çmimet e tregut.

Kjo sjell një kosto shtesë për qytetarët. Vlerësuesi privat për një apartament kërkon 100-150 euro pagese. Për vilat, fatura shkon nga 150-300 euro dhe rivlerësimi i ambienteve tregtare llogaritet në privat me kosto nga 200–500 euro.

Pra, vonesat e ministrisë në miratimin e cmimeve të reja të referencës jashtë Tirane, kanë prodhuar një barrë financiare të panevojshme për qytetarët në rrethe.

Ndërsa për Tiranën, ku aplikimi për rivlerësim mund të bëhet online përmes Kadastrës, tarifat e shërbimit janë disa herë më të ulta. Ato nuk janë fikse por variojnë nga 35 deri në 100 euro, sepse përllogariten në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi.

Shembull

Një qytetar ka blerë një apartament në vitin 2018 për 80 mijë euro. Sot ai e shet pronën për 140 mijë euro. Diferenca prej 60 mijë eurosh konsiderohet fitim kapital. Me normën prej 15%, tatimi që duhet të paguajë është 9 mijë euro.

Nëse qytetari zgjedh të bëjë rivlerësim dhe e çon vlerën e pronës nga 80 mijë euro në 140 mijë euro para shitjes, ai paguan tatim me normën e reduktuar 5%. Pra, 3 mijë euro.

Pas këtij veprimi, vlera e re e pronës në dokumente bëhet 140 mijë euro. Kur qytetari e shet më pas pronën për 140 mijë euro, nuk ka më diferencë mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Si rrjedhojë, nuk paguan më tatim shtesë mbi fitimin kapital.

Për qytetarët që kanë prona në rrethe, kostos së mësipërme i shtohet edhe tarifa e shërbimit nga vlerësuesi privat i licencuar, i cili kryen aktin e rivlerësimit të pronës. Kjo tarifë varion në varësi të zonës dhe vlerës së pasurisë, dhe përbën një shpenzim shtesë.

Kjo kosto shtesë ka ardhur si pasojë e faktit se Ministria e Financave nuk ka miratuar ende çmimet e reja të referencës për rrethet, ndonëse kjo ishte premtuar më herët, duke mbajtur peng procesin për rreth 20 muaj.

Premtimi

Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte premtuar se rivlerësimi do të bëhej mbi çmimet e reja të referencës, duke i përafruar ato me vlerat e tregut. Kjo do t’u jepte mundësi qytetarëve të paguanin tatimin mbi bazën e vlerës reale të pronës, me normën e reduktuar 5%.

Por procesi nisi mbi referencat e vitit 2023 për Tiranën, ndërsa çmimet e reja për rrethet nuk janë miratuar ende.

Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka kritikuar vonesat dhe ka propozuar shtyrjen e afatit të rivlerësimit deri në dhjetor 2027. Sipas drejtorit ekzekutiv Reinaldo Pipiria, koha e mbetur është e pamjaftueshme për një proces të plotë dhe të drejtë, sidomos pas humbjes së dy muajve të parë të vitit. /Faktoje.al

Share it :