Rokada në qeveri/ Bardhi: Disa emra shqetësim për partnerët ndërkombëtarë! Cënuan sigurinë kombëtare
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar ndryshimet e shumta në qeveri, të cilat u konfirmuan rreth një orë më pare nga kryeministri Edi Rama.
I ftuar në “Kjo Javë”, Bardhi deklaroi se nuk ka pasur dorëheqje nga ana e Belinda Ballukut, por sipas tij, kryeministri Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për çështjet e korrupsionit.
Së pari nuk ka patur 3 kërkesa të dorëheqjes për Ballukun, por Rama duhet të bëjë të njëjtën gjë me të sepse ai ka urdhëruar korrupsionin e Ballukut. Nuk ka patur asnjë dorëheqje të Ballukut, ka pasur presion prej saj dhe marrje peng prej saj të kryeministrit, sepse urdhëruesi i vërtetë i korrupsionit është Edi Rama vetë”, u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se ndryshimet në qeveri nuk përbëjnë surprizë, duke shtuar se një pjesë e tyre i kishte paralajmëruar më herët. Sipas tij, disa prej emrave të larguar kishin kthyer në shqetësim partnerët ndërkombëtarë për shkak të, siç tha ai, cenimit të sigurisë kombëtare.
“Ua kam thënë Pirro Vengut dhe Elisa Spiropalit dhe nuk kaluan disa ditë dhe u provua që u shkarkuan”, deklaroi Bardhi.
Më tej, ai shtoi se me lëvizjet e fundit “u zyrtarizua qeverisja Balluku-Agasi”, duke pretenduar se emrat e rinj janë të sponsorizuar prej tyre. “Pushteti i Ramës përfaqësohet nga këta dy individë, korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha ai.
Bardhi nënvizoi gjithashtu se gjatë 13 viteve të qeverisjes së socialistëve janë ndërruar rreth 50-60 ministra. Sipas tij, edhe pse qeveria aktuale ka vetëm pesë muaj në detyrë, tashmë është zëvendësuar gati gjysma e kabinetit.






