‘Në çdo dosje ndaj Metës del firma e Ramës’/ Cakrani: Çështja ÇEZ-DIA duhet pushuar, fakti penal nuk ekziston

‘Në çdo dosje ndaj Metës del firma e Ramës’/ Cakrani: Çështja ÇEZ-DIA duhet pushuar, fakti penal nuk ekziston

Ka përfunduar sot në GJKKO seanca gjyqësore ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pas seancës, avokati i tij Kujtim Cakrani deklaroi se në të gjitha çështjet penale ndaj Metës shfaqet përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai dhe 73 deputetë të PS të thirren për dëshmi.

Mbrojtja kërkoi pushimin e çështjes ÇEZ-DIA, kthimin për rihetim të dosjes së lobimit dhe rikthimin e akteve për ligjin e minerave, ku akuzohen Meta dhe Monika Kryemadhi. Sipas Cakranit, veprat penale nuk provohen dhe hetimet duhet të vijojnë.

Seanca e radhës do të mbahet më 5 mars, ndërsa vendimi pritet deri më 20 mars.

Cakrani:

Pra, kudo që ne proceset që ne bëjmë, na del përpara kryeministri. Nuk e di pse, por kryeministri i Shqipërisë është në çdo proces gjyqësor për korrupsion. Dhe konkretisht na del që kryeministri ka hedhur firmat për të gjitha, qoftë për ligjin e minerave, qoftë për AKEP-in, për Plus-in, qoftë për të gjitha ligjet që janë aty, pra që akuzohet zoti Meta, na del me firmë zoti Rama.

Tani zoti Rama që do vijë dhe te kjo dera aty, edhe te kjo dera tjetër, këtej, do vijë te të dyja ato dyert, nuk ka shpëtim, sepse ne në çështje të themelit do ta thërrim kryeministrin të vijë të dëshmojë këtu dhe mos të na mbajë leksione ne në asambletë e kështu me radhë. Ne do t’ia kërko… ja kërkuam gjykatës, të kthejë çështjen dhe të thirri kryeministrin, të thirri 73 deputetë të Partisë Socialiste që kanë votuar ligjin e minerave dhe ata që e relatuan ligjin, pra ata që e propozuan ligjin, e miratuan dhe të gjithë personat të cilët janë, ekzistojnë në dosje.

Dhe kështu që, kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, unë e kuptoj ishte në hall të madh, por sot ka dalë përsëri në pesë firma në çështjen e zotit Meta. Kështu që, gjykohet zoti Meta dhe kryeministri zoti Rama na bën leksione demokracie dhe drejtësie në asambletë e partisë së tij. Ai e ka vendin aty, te SPAK-u duhet të vijë patjetër. Sepse nuk mbajnë përgjegjësi njerëzit e tjerë për firmat e zotit Rama. Këtë, sepse po mbajnë përgjegjësi të tjerët për veprimet dhe mosveprimet dhe firmat e zotit Rama, që të jemi të qartë. Opinioni publik duhet ta kuptojë.

Përsa i përket çështjes ÇEZ-DIA-s, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes sepse fakti nuk ekziston. Pra fakti për të cilin akuzohet zoti Meta, nuk provohet që ta ketë kryer zoti Meta. E para, dhe kemi kërkuar pushimin. Përsa i përket lobimit, të çështjes së lobimit, kemi kërkuar kthimin e akteve për rihetim, sepse nuk janë pyetur persona të cilët janë kryesorë dhe përmenden aty 330 herë përmendet zoti Shatku, Ardian Shatku, dhe nuk është thirrur qoftë me telefon që të vijë të dëshmojë këtu para prokurorisë, por edhe me letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç procedohet për të gjithë personat të cilët SPAK-u nuk mundet të arrijë t’i pyesi përpara.

Dhe gjithashtu kemi kërkuar për çështjen e ligjit të minerave ku akuzohet zonja Kryemadhi dhe zoti Meta si bashkëpunëtorë në ligjin e minerave, kemi kërkuar që çështja të kthehet dhe të pyeten të gjithë 73 deputetët, të pyetet kryeministri zoti Rama që e ka mbrojtur këtë ligj përpara Kuvendit të Shqipërisë dhe ju tha, më dëgjoni me kujdes, ju tha shqiptarëve dhe minatorëve ‘me ligjin e ri të minerave nuk do ketë më asnjë lloj problemi dhe minatorët do zgjidhin problemin e tyre’. Sot po vdesin minatorët pikërisht nga ai ligji që ka bërë zoti Rama në 2015-ën. Prandaj që të gjitha aktet dhe provat të cilët akuzohet zoti Meta, janë prova dhe akte të cilat duhet të vazhdojë hetimi, pasi nuk provohet që të jetë kryer vepra penale e korrupsionit dhe padyshim dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Është tërhequr… jo, nuk është tërhequr gjykata akoma. Në datën 5, në orën 10:00 është seanca e radhës, ku prokurorët do bëjnë prapësimet e tyre mbi prapësimet tona dhe padyshim gjykata më pas do tërhiqet për të marrë kohën e saj për vendim dhe besojmë se brenda datës 20 do kemi një vendimmarrje.

Share it :