Këlliçi: Nëse bie Balluku, drejtësia shkon te zyra e Ramës
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ka komentuar zhvillimet rreth çështjes së Belinda Ballukut dhe debatit për heqjen e imunitetit të saj.
I ftuar në Ora News, Këlliçi u shpreh se sipas tij, rasti i Ballukut është ndryshe nga rastet e tjera të zyrtarëve të lartë të përfshirë në hetime, pasi kjo çështje, sipas tij, prek drejtpërdrejt Ramën.
“Nëse bie Balluku, nuk ka më pengesë që drejtësia të shkojë te zyra e kryeministrit. Me të ka shkuar te kabineti më i afërt i tij.”- tha ai.
Sipas tij, në mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar socialist mund të ketë dy skenarë, ose një refuzim për heqjen e imunitetit përmes votës së deputetëve, ose një miratim në emër të procesit të integrimit. Këlliçi u shpreh se mbrojtja e Ballukut lidhet me interesin politik të Ramës, pasi rënia e saj, sipas tij, do ta linte atë pa mburojë përballë drejtësisë.




