Berisha: Rama përmes Baton Stanishiqit njoftoi se po bën ligj për të mos lejuar arrestimet e zyrtarëve!
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi para medieve se, Edi Rama përmes Baton Stanishiqit njoftoi se po bën ligj për të mos lejuar arrestimet e zyrtarëve. Ai tha shqiptarët nuk do e pranojnë kurrë këtë gjë.
Berisha: Në dosjen Balluku, nga 6500 mesazhe, 3800 janë të Edi Ramës.
Në një aspekt, Balluku është thjesht një shërbëtore e tij. Mirë t’i bëhet.
Por, dosja më e tmerrshme, më e pashembullt, është AKSHI.
Është AKSHI me të cilin, Edi Rama plaçkiti nëpërmjet baxhanakut me qindra tendera sekrete në kundërshtim me ligjin, qindra e qindra milionë euro.
Jo vetëm kaq, por aty me Ergys Agasin, Mirlindën e AKSHI-t, plaçkitën të dhënat personale të të gjithë shqiptarëve.
Vunë në kontroll cilindo shqiptar dhe të huaj që dëshironin.
Urdhëruan marrje peng, u morën peng, u emëruan dhe u shkarkuan ministra, që të gjitha në përputhje me interesat kriminale Rama-Agasi.
Pra, Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.
Revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj Edi Ramës po arrin nivelet e revoltës dhe zemërimit të qytetarëve shqiptarë ndaj kultit të Enver Hoxhës.
Çka do të thotë se do bëhet e papërmbajtshme, çka do të thotë se në mënyrë të pashmangshme do ketë fatin e kultit të tij.
Prandaj jep menjëherë dorëheqjen.
Përpjekjet e Edi Ramës për të përdorur së pari Lubinë si parzmore, për të mbrojtur Lubinë për të mos i hequr imunitetin, për të mos e shkarkuar, nuk janë gjë tjetër vetëm përpjekje për të mbrojtur veten e tij.
Akoma më skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligjet, për të shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar si persona të pa pezullueshëm edhe ata të cilët në seri i pezullon vetë Kushtetuta.
Vetë Kushtetuta ka parashikuar pezullimin e tyre nga Kushtetuta, dhe kur Kushtetuta parashikon pezullimin nga detyra të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të kryetarit të KLSH, të Avokatit të Popullit, parashikon procedurën e shkarkimit të presidentit të Republikës, Edi Rama është i pashpresë, i dështuar.
Asnjë ligj të tillë shqiptarët nuk do e pranojnë.
Tani, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Baton Stanishiq, informon publikon se ka ndërmend të amendojë kodin, në të cilin të shkelmojë me dy këmbë Kushtetutën dhe nenet e saj që garantojnë barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Tani, ai thotë, njëlloj si në veprat e Oruellit, se të gjithë jemi të barabartë në fermën e derrave, por disa derra janë më më të barabartë se të tjerët.
Kështu ka përgatitur projektligjin për të mos lejuar arrestimin e zyrtarëve publikë pa një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Dhe të gjithë të tjerët po.
Mjafton ky moment për të nxjerrë në pah shpirtin e tij të zi, të trazuar, përroin e tij psikik, që nuk njeh asnjë kufi, asnjë limit.
Harron që për këtë qëllim janë prerë koka mbretërish shekuj më parë.
Harron se para ligjit ka shekuj që qytetarët konsiderohen të barabartë.






