Malltezi: Shkatërrimi i Shkumbinit, krim mjedisor i miratuar nga qeveria, askush nuk mban përgjegjësi
Në një deklaratë për mediat, Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, foli mbi krimin e rëndë mjedisorë që po ndodh në lumin Shkumbin, ku u shpreh se shkatërrimi i shtratit të lumit, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore po bëhet me miratim institucional dhe në kundërshtim flagrant me interesin publik.
Malltezi akuzoi qeverinë Rama, si dhe ministra të kabinetit, se përmes lejeve zyrtare kanë legalizuar, sipas tij, një “masakër mjedisore” me pasoja të parikuperueshme për ekosistemin dhe sigurinë infrastrukturore.
Sipas tij, nxjerrja e inerteve nga shtrati i Shkumbinit përbën një akt kriminal që po dëmton jo vetëm natyrën, por edhe interesin afatgjatë të qytetarëve shqiptarë.
Deklarata e plotë:
Krimet mjedisore që po ndodhin çdo ditë kanë autorë, por jo përgjegjës.
Shkatërrimi i Shkumbin-it, rrugës dhe hekurudhës kombëtare po ndodh me miratimin e atyre që paguhen nga taksat tona për t’i mbrojtur.
Shkumbini, dikur një lum i mrekullueshëm me ekosistem plot pemë, është kthyer në një moçal me kantiere ndërtimi përgjatë gjithë shtratit.
Në vend që të mbështeten zgjidhje përmes infrastrukturës së gjelbër urbane, qeveria e babëzitur e Edi Rama-s i ka shpallur luftë mjedisit dhe natyrës.
Lëpirësit e pushtetit po thonë që ka leje mjedisore dhe kjo, sipas tyre, e bën normale apo të ligjshme. Pikërisht pse kanë dhënë LEJE mjedisore për të kryer këtë masakër në shtrat lumi, është KRIM!
Edi Rama, Belinda Balluku, Mirela Kumbaro dhe kumbareshat e saj duhet të përgjigjen për krimin mjedisor të parikuperueshëm dhe dëmin e jashtëzakonshëm infrastrukturor.
Lejet e Këshilli Kombëtar i Ujit për marrjen e inerteve lumore në shtrat të Shkumbinit për kompaninë ANK, në Dragostunjë, dhe në Papër për Salillarin, janë akte kriminale mjedisore, pasi shkatërrojnë shtratet lumore mijëravjeçare, shkatërrojnë ekosistemin, dëmtojnë akuiferët nëntokësorë dhe mund të rezultojnë – siç rezultuan – në deformim të skarpateve breglumore dhe ndryshime tektonike dhe hidrodinamike të shtratit të lumit. Gërryerja e zhavorreve natyrore mijëravjeçare është si të gërryesh organet e brendshme dhe të pretendosh se nuk do të ketë pasoja.
Por, në një vend ku kryehajduti ka kapur drejtësinë dhe nuk lejon asnjë procedim penal që nuk ka qejf, këto krime mjedisore me pasoja të rënda financiare dhe infrastrukturore, ndonëse kanë autorë, mbesin pa përgjegjësi.
Ndaj ka nevojë të protestojmë edhe për këto krime, se qeveria nuk po vjedh veç demokratët, por gjithë shqiptarët, pa dallime partiake. Madje po vjedh dhe shkatërron mjedisin, gjë që sjell pasoja afatgjata edhe te fëmijët e të gjithëve.






