Sot, falë Edi Ramës dhe ministres së tij të Infrastrukturës, të pezulluar nga SPAK, Belinda Ballukut, Shqipëria u nda në dy pjesë.
Shqipëria përjetoi sot (21 shkurt) edhe një tjetër situatë skandaloze falë Rilindjes që vetëm fatkeqësi po i sjell këtij vendi! As në kohë lufte nuk ka ndodhur që Shqipëria të mos përshkruhej në territorin e saj.
Është lemeritëse, por fatkeqësisht e vërtetë! E vetmja mundësi për të shkuar në Librazhd, Përrenjas, Pogradec apo Korçë është të kalosh nga shteti fqinj, Maqedonia. Një situatë e cila nuk ndodh as në vendet më të humbura të botës!
Ndarja e Shqipërisë në dy territore të papërshkueshme
ARRSH njoftoi paraditen e sotme se qarkullimi në segmentin rrugor Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, është ndaluar këtë të shtunë për të gjitha mjetet pasi rrëshqitja e terrenit u përkeqësua ndjeshëm gjatë orëve të fundit.
Përdoruesit e autoveturave u udhëzuan të devijojnë qarkullimin përmes itinerarit alternativ Maliq–Lozhan–Moglic–Gramsh–Elbasan për të parandaluar incidentet dhe mbrojtjen e jetës.
E çuditshme, apo jo?! Presupozohet se qeveria e Ramës duhet ti merrte këto masa para se situata të degradonte deri këtu dhe jo të kujtohej në çastet e fundit.
Disa banorë të zonës theksojnë se problematika në “Arrat e Gurrës” ka qenë e pranishme gjatë gjithë këtyre javëve dhe se çarjet në rrugë janë thelluar gradualisht.
“Kjo ishte e paralajmëruar. Toka ka lëvizur edhe herë të tjera, por tani situata duket shumë më e rëndë,” tha një banor i zonës.
Por, në fakt nuk ka dhe shumë për të çuditur! Kjo për faktin se qeveria Rama punon vetëm kur një pjesë të mirë buxhetit do e “kullufisë’ vetë! Pa për qytetarët kush po pyet…
Rajoni juglindor, konkretisht Pogradec, Korçë, Devoll, mbeten të bllokuar nga rrëshqitja duke e bërë të vështirë lidhjen me pjesën qendrore të vendit.
Aktualisht edhe rruga e inauguruar vetëm pak kohë më parë Qukës–Qafë Plloçë mbetet e dëmtuar nga e njëjta problematikë.
Paralelisht, OST bëri të ditur se rrëshqitja e tokës është konstatuar edhe pranë shtyllës nr. 15 të linjës së transmetimit 110 kV Librazhd–Përrenjas. Sipas operatorit, struktura nuk ka pësuar deformime apo lëvizje deri tani, por specialistët po vlerësojnë mundësinë e zhvendosjes në një shesh të ri si masë parandaluese.
Policia e Shtetit njoftoi sot mbi masat në kushtet e bllokimit: “Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan: Në vijim të njoftimit të dhënë, për qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor “Librazhd-Pogradec”, informojmë se do të bëhet bllokimi i plotë i qarkullimit në këtë aks rrugor, deri në një njoftim të dytë.
Në zbatim të këtij vendimi:
– Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla;
– Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks;
– Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.”
ARRSH e sugjeroi si rrugë alternative, paralizohet aksi Maliq – Gramsh. Kaos në Lozhan
Aksi Maliq-Gramsh është paralizuar nga trafiku kilometrik, i krijuar nga automjetet që po kthehen drejt Tiranës.

Automjetet devijuan në këtë rrugë pasi ARRSH e sugjeroi si alternative për shkak të dëmtimeve në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës.
Po në fakt, edhe në këtë rrugë janë evidentuar plasaritje të thella në disa segmente, duke krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullim dhe rrezik të shtuar për drejtuesit e mjeteve.
Ky aks rrugor i ndërtuar nga “Gjikuria” sh.p.kdhe që ka kushtuar 14 mln euro (rreth 1.4 miliardë lekë), ka shfaqur problematika edhe më herët, por ditët e fundit amortizimi është përkeqësuar ndjeshëm.

Po ashtu mësohet se, për shkak të radhës në aksin Maliq-Moglicë, policia ka bllokuar hyrjen e mjeteve që në hyrje të Maliqit.
Ndërkohë, pritet të zhbllokohet qarkullimi nëLozhan pasi atje ka ngecur një trajler dhe kalohet vetëm me një korsi. Kjo ka sjellë vështirësi në qarkullim pasi drejtuesit e mjeteve kanë fikur makinat duke pritur të hiqet trajleri. Në total ishin tre trajlera që mbetën të bllokuar në këtë rrugë.

Vendi i ndarë në dysh, ARRSH dhe Belinda Balluku shijojnë fundjavën
Dikush nuk e ka prishur aspak terezinë edhe pse një skandal i të tilla përmasave është shënuar! Zyrtarët e ARRSH dhe shefja e tyre Belinda Balluku të cilën SPAK kërkon ta arrestojë, duket se po shijojnë fundjavën me paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve. Atyre shqiptarëve që i lanë sot të pashpresë në rrugë…
Teksa qindra mjete dhe mijëra njerëz kanë ngelur në rrugë, Autoriteti Rrugor Shqiptar reagimin e fundit për situatën e ka paraditen e sotme.
Mes qindra personave të bllokuar ka familjarë me fëmijë të vegjël dhe të moshuar.
“Fëmijët janë lodhur, nuk kemi as ujë mjaftueshëm. Duhet një zgjidhje alternative sa më shpejt.”- tha një qytetar.
“Jam vetë e sëmurë, me një veshkë. Nuk ec dot në këmbë. Kam që në Librazhd, një orë e gjysmë që ec në këmbë”, u shpreh një grua.
Ndërkohë, drejtues mjetesh kërkojnë më shumë informacion zyrtar, ndërsa apelojnë për ndërhyrje sa më të shpejtë për stabilizimin e segmentit problematik.
“Punimet e “ANK” dhe “2T” në Korridorin VIII po kthehen në masakër mjedisore”
Gazetari Mentor Kikia ka denoncuar punën e bërë nga kompanitë “ANK” dhe “2T” në rrugën Librazhd-Prrenjas, e cila është bllokuar sot pas problemeve të krijuara nga shembja.
Kikia shkruan se Rruga Elbasan – Qafë Thanë, ka qenë një nga rrugët me standardin më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, e ndërtuar rreth 25 vjet më parë nga një kompani maqedonase.

Ndërsa me ndërtimin e Korridorit të 8, kompanitë e mësipërme kanë kryer sipas tij masakër mjedisore edhe mbi lumin Shkumbin.
“Përse po bie rruga Librazhd – Qafë Thanë?
Rruga Elbasan – Qafë Thanë, ka qenë një nga rrugët me standardin më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, e ndërtuar rreth 25 vjet më parë nga një kompani maqedonase. Prej kaq kohësh as gropa në asfalt nuk kishte, edhe pse zero mirëmbajtje deri tani!
Anomalitë e krijuara në këtë aks, këto muajt e fundit, duhen kërkuar tek kompania që po ndërton rrugën e re, Korridorin e 8.
Ajo ka kryer masakrën më të madhe mjedisore mbi lumin Shkumbin dhe krejt luginën. Nga Rrogozhina deri këtu ku po shembet kjo urë, rruga po ndërtohet me zhavorr lumi. Shtratin e lumit e kanë masakruar, e kanë shkatërruar tërësisht.
Ndërkohë që nuk ka lënë asnjë përrua pa gërryer e shkatërruar gjithashtu, për të marrë inerte.
A duhet përdorur zhavorri i lumit me gurë të rrumbullakët e të lëmuar për shtratin e rrugës? Le ta japin inxhinierët përgjigjen për këtë.
Por shembjet e rrugës ekzistuese kanë ndodhur aty ku po ndërtohet traseja e re. Çdo dëmtim ka një faturë financiare, të cilën nuk duhet ta paguajmë ne.“- shkruan Kikia pas skandalit të sotëm./Boldnews.al






