Sot opozita do të dalë sërish në protestë para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë Rama. Tubimi do të mbahet në orën 18:00, ndërsa protestuesit do të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi spotin e protestës dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen një proteste paqësore kundër asaj që ai e cilëson si “e keqja e përbashkët e shqiptarëve”, Edi Rama.
Videoja e shpërndarë nga Berisha përfshin pamje simbolike të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, në një paralelizëm me atë që ai e quan “narko-diktatura” e Ramës. Në video duket Berisha, ku siç është shprehur edhe vetë, siç ishte pranë shqiptarëve në rrëzimin e diktaturës, do të jetë edhe në përballjen me qeverinë aktuale.
Postimi u shoqërua me mesazhin: “Kilometri i fundit! Koha për ta rrëzuar narko-diktaturën!”.
Berisha ka theksuar gjithashtu se opozita do të vijojë me protesta të njëpasnjëshme deri në largimin e Ramës nga pushteti.





