Topalli: PS ka frikë, po i jep vetes super-imunitet me ligje mafioze!
Deputetja e PD, Jozefina Topalli, gjatë fjalës në Kuvend tha se, veprimet e fundit legjislative të qeverisë nuk janë gjë tjetër veçse një shprehje e frikës dhe një përpjekje për të siguruar mbrojtje personale përmes ligjeve të cilësuara prej saj si mafioze.
Ajo akuzoi kryeministrin për keqpërdorim të deputetëve, duke i detyruar të firmosin nisma ligjore që, sipas saj, i shërbejnë vetëm pushtetit. Në qendër të kritikave të saj ishin disa projektligje specifike. Ligjin për qeverisjen elektronike, Topalli e quajti “ligj mafie”, ndërsa ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale i cilësoi si një mekanizëm për t’i dhënë vetes “super-imunitet”.
Topalli: Zoti kryetar i parlamentit. Pa dashur të bëjnë të reflektojnë. Kur kam hyrë për herë të parë në parlament, Partia Socialiste është përfaqësuar nga Fatos Nano, Dritëro Agolli, profesor Servet Pëllumbi, Namik Dokle e të tjerë.
Që të përfundonte Partia Socialiste në parafolësit, nuk e kisha imagjinuar kurrë. Nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë. Tani, keqpërdorimi që i bëni deputetëve për të firmosur ndryshime në ligjet që ju i keni futur sot në rendin e ditës, i keni në kalendar dhe në program, është gjëja më e rëndë që mund të realizohet nga një kryeministër. Sot keni futur në rend të ditës atë që ju e quani me një emër shumë të bukur, ligji për qeverisjen elektronike. Në fakt, është ligj mafie. Siç është një ligj i tmerrshëm ndryshimet për Kodin e Procedurës Penale, që është një ligj që mbron veten kur drejtësia të troketë tek zyra jote.
Në fakt, ligjvënësi i vërtetë në këtë sallë dhe në anën e majtë, është frika. Ju sot keni frikë. Ju sot keni frikë, prandaj ndryshoni ligjin për Kodin për Procedurën Penale për t’i dhënë vetes super-imunitet. Ju sot keni frikë sepse ndryshoni ligjin për AKSHI-n për të justifikuar praktikat korruptive të mëparshme duke menduar se ato do të bëhen të ligjshme. Ju keni frikë sepse ju keni sjellë propozimin për ligjin për portet dhe portilet që është një tjetër akt korrupsioni super mafioz, që kërkoni të justifikoni të gjithë praktikat super korruptive përmes amendimeve që ju po bëni sot.
Dhe përveç këtyre, keni amendime të tjera qoftë për parqet e Duranës, që kërkoni edhe një herë se nuk jeni ngopur akoma, që t’i merrni pa taksa, pa dogana, të gjithë klientelët tuaj. Kjo ortakëri me krimin, në formën më mafioze, është gjëja më e paimagjinueshme në një shtet që presupozohej që do të kishte transparencë dhe që heq transparencën, që presupozohej se do të kishte garë po ka zhdukur konkurrencën. Në një shtet që prej 28 vitesh ka kryeministrin në ekzekutiv, herë në pozitën e kryetarit të bashkisë, herë të qeverisë. Por pushtetet e gjata, të marra përmes procedurave farsë elektorale, fillojnë dhe mendojnë se ato janë të përjetshëm.
Por koha ka treguar se e kundërta ndodh. Ndaj dhe ligjvënësi i vërtetë sot është frika. Ju keni frikë. Prandaj firmosni çdo gjë. Ju keni frikë dhe doni mbrojtje kur ato trokasin te dera. Nuk është drejtësia kurrë i një grusht shteti. Përkundrazi, është kufizimi i pushtetit dhe ju këtë si koncept nuk e pranoni kurrë. Jeni si popcorn këtu.






