Vasili: Rama ‘qan’ për paraburgimin dhe bën ligj burgimi për parkim dyfish!

Vasili: Rama ‘qan’ për paraburgimin dhe bën ligj burgimi për parkim dyfish!

Nga Petrit Vasili

Rama po ulërin e po bërtet këto ditët e fundit për paraburgimin që, sipas tij, është ekzagjeruar dhe shpërdoruar.

Por sot kushdo që i punon arsyeja dhe nuk është një megafon i rëndomtë i Ramës pyet me të drejtë:

Pse u kujtua Rama të flasë sot, pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet?

Po Rama dhe deputetët e tij çfarë roli kanë pasur në këtë proces?

Përgjigjet janë shumë të qarta.

Së pari, Rama po flet sot sepse ‘hajdutët’ e tij po shkojnë nëpër burgje dhe burgu po troket te zyra e tij. Rama po flet sot sepse e di që edhe për shumë ministra e zyrtarë të tjerë të tij janë zbuluar afera korruptive dhe natyrshëm i pret burgu. Ndaj Rama po kërkon të krijojë mbrojtje politiko-juridike për ta, që ata të mos shkojnë në burg, si dhe të evitojë rrezikun që ata të mos flasin e të bashkëpunojnë me drejtësinë në kushtet e paraburgimit.

Së dyti, Rama dhe deputetët e tij kanë votuar pa fund ligje që vetëm shtojnë dënimet me burg dhe ne kemi parë qindra e qindra të burgosur për mospagim të energjisë elektrike, qoftë edhe për pak lekë, apo për ndërtime pa leje etj. Ka pasur edhe që kanë humbur jetën në paraburgim për pesë lekë korrenti të papaguar.

Është vërtet një paturpësi shumë e madhe e Ramës që, ndërsa flet për paraburgimin, votoi vetëm pak ditë më parë në Parlament ligj për të dënuar me burg parkimin dyfish të makinës, ndonëse ka dhjetëra forma dënimi që e zgjidhin këtë punë.

Pra, Rama ‘qan’ për paraburgimin dhe vazhdon e bën ligje talebanëske, bazuar mbi filozofinë skizofrenike: burg, burg, burg.

Share it :