Nga Franci Nuri
Ndryshimet ligjore në Kod, të bëra publike, dhe monologjet autoritariste të Edi Rama dëshmojnë se diktatura po i instalon gjithnjë e më thellë rrënjët në Shqipëri.
E shihni, miq, çfarë po ndodh në Shqipëri? Akuzohet për abuzime të rënda zëvendëskryeministrja e Edi Ramës, krahu i tij i djathtë, dhe Prokuroria e Posaçme ka dy muaj që kërkon arrestimin e saj. Por ajo fshihet pas imunitetit si deputete, ndërsa e gjithë Qeveria, Rama dhe PS si grup parlamentar janë kthyer në zyrë avokatie për ta: bllokojnë çdo nismë për heqjen e imunitetit, Rama sulmon publikisht gjyqtarët, Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK.
Por kjo nuk u mjafton. Sot kalojnë një cak edhe më të rrezikshëm.
Po ndryshojnë Kodin e Procedurës Penale me qëllim që të mbrohen nga çdo mundësi pezullimi nga detyra nga drejtësia! “Drejtësia e re”, për të cilën dikur mburreshin se e kishin reformuar kur e kontrollonin, sot që po heton qeverinë në detyrë, e sulmojnë dhe i ndryshojnë ligjet për t’u krijuar mburoja të reja ligjore, vetëm për të shpëtuar veten.
Çfarë presin më miqtë tanë Europianë dhe Amerikanë për të ndërhyrë? Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për integrimin në Bashkimi Europian, por sot po hedh poshtë parimet bazë të shtetit të së drejtës. Ligjet po i ndryshon qeveria për të mbrojtur anëtarët e vet!
“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”, thotë Rama.
Kjo nuk është thjesht turp.
Kjo është fundi i Shtetit të së Drejtës.
Është fundi i Republikës.
Data 20 po afron dhe populli shqiptar duhet t’i tregojë STOP instalimit përfundimtar të diktaturës!
Ndryshe, mbetet vetëm që Rama të ndryshojë Kushtetutën dhe të shpallet mbret.
*Franc Nuri është drejtues i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike






