Gjykata e Brukselit konfirmon besueshmërinë e të dhënave të Sky ECC për ekz*kutimin e Ardit Spahiut
Gjykata në Bruksel ka vendosur se të dhënat e nxjerra nga aplikacioni i koduar Sky ECC janë të besueshme dhe mund të përdoren si prova në procesin për vrasjen e Ardit Spahiut, e ndodhur më 27 nëntor 2020.
Sipas vendimit, “asgjë nuk sugjeron që të dhënat e Sky ECC janë të pabesueshme”. Mesazhet e dërguara përmes këtij aplikacioni, të cilat u deshifruan nga policia në vitin 2021, u përdorën si provë kryesore në gjyq.
Në përfundim, gjashtë nga nëntë të pandehurit u shpallën fajtorë, ndërsa tre të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Gjatë gjyqit, mbrojtja kundërshtoi vlefshmërinë e këtyre të dhënave. Avokatët argumentuan se mund të kishte pasur manipulim dhe ngritën dyshime për mospërputhje në dokumentet e paraqitura nga hetuesit. Ata kërkuan qasje në skedarin origjinal të të dhënave të Sky ECC, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata.
Juria arsyetoi se, edhe pse gjurmueshmëria e plotë e të dhënave nuk është absolute, nuk ka prova konkrete që të mbështesin pretendimin për manipulim. Sipas saj, sasia e madhe e mesazheve dhe mënyra e ndërtimit të sistemit e bëjnë falsifikimin shumë të vështirë.





