Dështimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun/ Ç’do bëjnë tani Rama dhe SPAK

Dështimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun/ Ç’do bëjnë tani Rama dhe SPAK

A do ta zvarrisë Rama kërkesën për heqjen e imunitetit deri në djegien e afateve. Cila është rruga që do të ndjekë SPAK për atë që e akuzon për abuzime me rrugët.

Gjykata Kushtetuese gjeti një mënyrë për të hequr nga dora “pataten e nxehtë” që kishte emrin e Belinda Ballukut. Të vënë mes dy zjarreve, 8 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk arritën dot të marrin një vendim të qartë nëse vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres nga detyra binte ndesh me Kushtetutën apo jo.

Me këtë përfundim, (pa një vendim të qartë) Balluku mbetet e pezulluar dhe nga e hëna nuk mund të shkojë dot më në zyrë.

4 prej anëtarëve, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja, Fjona Papajorgji dheMarjana Semini argumentuan se sipas Kushtetutës, një ministër gëzon imunitetin e deputetit dhe për të marrë një masë të tillë duhet kërkuar leje në Kuvend.

“Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit” – u shprehën ata.

Në krahun tjetër, 4 anëtarët Sandër Beci, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi dhe Ilir Toska këmbëngulën se Kushtetuta nuk parashikon që për masën “pezullim nga detyra” të ministrit të kërkohet autorizim në Kuvend. Sipas tyre i takon parlamentit të bëjë ndryshimet në Kushtetutë që ministrit t’i njihet edhe kjo mbrojtje.

“Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues” – u shprehën 4 anëtarët e tjerë të Kushtetueses.

Tani “topi” i kalon së pari Kuvendit.

Në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet mbetet ende mbi tavolinë që prej 16 dhjetorit 2024 kërkesa e SPAK për lejimin e marrjes së një mase më të rëndë ndaj numrit “dy” të qeverisë, siç është arrestimi. Socialistët mbajtën vetëm një mbledhje për këtë çështje dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës nuk u hodh asnjë hap më te, me pretendimin se do prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese (edhe pse qartazi çështjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën).

Kjo lëvizje u pa qartë si një përpjekje për ta zvarritur çështjen me qëllim djegien e afatit të përcaktuar prej 3 muajsh. Nëse Kuvendi nuk shprehet për çështjen deti në 16 mars, kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar.

Çfarë do të bëjë tani Rama?

Nisur nga mbrojtja që i ka bërë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur shenja se mund të ketë një “lëshim” të Ballukut. Nuk dihet çfarë efekti mund të japë presioni në rritje nga Brukseli për këtë çështje.

Duket se kancelaritë janë vënë në lëvizje të alarmuar për një zhbërje të krijesës së tyre në drejtësinë shqiptare.

Çështja është: Çfarë do të bëjë tani SPAK?

Nisur nga kjo përpjekje e Ramës për të zvarritur çështjen me qëllim djegien e afateve, Prokuroria e Posaçme ndoshta do të duhet të gjejë të tjera rrugë për të çuar para drejtësisë atë që e akuzon për abuzime me tenderat e rrugëve. ©LAPSI.al

Share it :